E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizata “Mlada Bosna” merr përsipër incidentet në Kosovë dhe Beograd

Pas shpërthimeve të ndodhura në Veri të Kosovës dhe hetimeve të policisë kosovare, një organizatë e quajtur “ Mlada Bosna” ka marrë marrë përgjegjësinë për incidentet dhe shpërthimet që janë kryer gjatë këtyre ditëve në Mitrovicë dhe Beograd. Ky informacion është bërë i ditur nëpërmjet një njoftimi të dërguar në adresë të disa mediumeve serbe. Në këtë njoftim ata theksojnë se kjo organizatë merr përsipër hedhjen e bombave përpara “Merkator-it” dhe përpara selisë së Misionit të Bashkimit Europian në Mitrovicë. Kjo organizatë, që pretendon të bashkojë rininë serbe në të gjithë botën, ka paralajmëruar aktivitete të tjera kundër pronave të vendeve që pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Ndryshe, emri “Mlada Bosna” nuk duket të jetë i rastësishëm dhe është huazuar në mënyrë simbolike nga organizata me të njëjtin emër, e cila në bashkëpunim me organizatën “Crna Ruka” (Dora e Zezë) ka organizuar dhe realizuar atentatin ndaj trashëgimtarit të Fronit të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinandi, më 28 qershor të vitit 1914, në Sarajevë. Anëtarë të kësaj organizate gjatë asaj periudhe kanë qenë Gavrilo Princip, Nedeljko Çabrinoviç, Vaso Çubriloviç etj. Kjo ngjarje u mor si shkas për luftën e Austro-Hungarisë kundër Serbisë, e cila më pastaj ekzagjeroi në Luftën e Parë Botërore.

Rumania do të tërheqë diplomatët nga Kosova

Rumania do të tërheqë diplomatët e saj nga Kosova. Ky lajm është bërë i ditur nga presidenti rumun, Traian Basesku. Ai ka deklaruar se shërbimi diplomatik rumun në Prishtinë do të pushojë së funksionuari. Sipas tij, kjo vjen si rrjedhojë e mospranimit të shtetit të ri të Kosovës nga vendi i tij. “Meqenëse ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës do të tërheqim misionin tonë diplomatik në Prishtinë. Ne kemi Ambasadën tonë në Beograd”,-është shprehur Basesku. Rumania është një nga vendet që refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës. Ajo insiston në faktin që njohja e pavarësisë mund të krijonte precedent dhe në këtë mënyrë do të mund të destabilizohej rajoni.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›