E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina zyrtare fillon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Vetëm 24 orë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës Prishtina zyrtare filloi me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shumë shtete që e njohën pavarësinë e Kosovës. Gjatë dy ditëve, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka pranuar pareshtur shkresat zyrtare për njohjen e pavarësisë. Kjo pritet të ndodhë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Presidenti Fatmir Sejdiu u garantoi të gjitha vendeve të botës se Republika e Kosovës do të jetë një vend që di t’i respektojë vlerat njerëzore. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka premtuar se të drejtat e pakicave në Kosovë do të mbrohen me ligj. Kryeministri pret që dhe vendet e rajonit shumë shpejt ta njohin pavarësinë e Kosovës. Arritja e shkresave zyrtare në Prishtinë, prej të cilave shumë shtete njohën pavarësinë e Kosovës, është përcjellë drejtpërdrejt nga televizionet vendore dhe nuk vonoi shumë që qytetarët e Prishtinës të mbushnin serish rrugët e kryeqytetit duke festuar. Flamujt e shteteve që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe të atyre që kanë paralajmëruar se do ta njohin pavarësinë valëviten gjithandej rrugëve të kryeqytetit. Shumë zyra diplomatike që kanë funksionuar në Kosovë si zyra ndërlidhëse, tashmë janë në procesin e shndërrimit në ambasada. Qeveria e Kosovës këtë fakt e ka pranuar me kënaqësi, ndërsa thotë se shumë shpejt edhe Kosova do të hapë ambasadat e saj në vendet që e njohin pavarësinë e Kosovës.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›