E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, MPJ: Peci ka bërë lëshime, i tejkaloi kopetencat

KOSOVE- Reagon Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës me anë të një deklarate për shtyp lidhur me dorëheqjen e Pecit.

“Ai është emëruar zyrtar ndërlidhës në Beograd si përfaqësues i Republikës së Kosovës me propozim të MPJ-së dhe kryeministrit Thaçi. Prandaj, është pritur që ai të kryejë detyrën që kërkohet me profesionalizëm, moral të lartë, përgjegjësi, dinjitet shtetëror dhe nacional, prezantim të plotë të qëndrimeve shtetërore dhe në rastin konkret guxim qytetar, që në momente të caktuara i kanë munguar”.

Sipas deklaratës, MPJ i ka kuptuar “lëshimet e tij për disa vite si ish-ambasador në Suedi, por veprimet e tij në raport me përfaqësimin në Serbi, kanë ndikim të madh në zhvillimin politik të raporteve në mes të dy shteteve, popujve tanë dhe më gjerë”.

“Qëndrimi i tij njëditor dhe kthimi i menjëhershëm në Prishtinë, adresimi në konferencë për media në gjuhën e vendit ku ka shkuar dhe jo vendit që përfaqëson, takimet e paautorizuara me përfaqësues të shtetit të Serbisë dhe pretendimi i tij për qëndrime politike personale, kanë tejkaluar kompetencat, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e tij e që lidhen me sigurinë shtetërore, të cilat ende nuk janë për opinion publik, nuk kanë paraqitur përfaqësuesin e denjë të Republikës së Kosovës. Z. Peci ka qenë i propozuar për shkarkim dhe këtë ai e ka pasur të qartë, andaj edhe dorëheqja është hap i paraprirë prej tij”, citohet në reagimin e MPJ. 

(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›