E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, Berisha: Kongresmeni i SHBA kërkon hetim për pastrim parash, Pse zoti Rama?

KORCË- Partia Demokratike përmbylli sot në Korçë fushatën elektorale. Kryeministri Sali Berisha u zotua nga ky shesh se PD do fitojë këto zgjedhje për të mundësuar më shumë vende pune, rroga e pensione më të larta.

Duke akuzuar kreun e PS-së Rama se mohon të gjitha arritjet e qytetarëve shqiptarë, ndërsa mendon vetëm për të pasuruar kupolën e tij.

Berisha shtoi se: “Në këtë shesh shqipëron 10 herë nga fillimi në fund fjalën rrënim. Shqipton me gjuhën e edukatës së tij fjalën plak, gjysh e katragjysh por asnjëherë fjalën rrogë, pension ndihmë ekonomike. Shoku i autobusit mavi nuk mendon për ju, ju për të jeni asgjë, mendon si të pasurojë kupolën e tij”

Duke iu drejtuar korçarëve, Berisha u shpreh: “Këtu më shumë se në çdo vend tjetër u ndal tek rrënimi i tij imagjinar, mos e merrni për fyerje, juve nuk ka njeri që ju fyen, merreni si një shprehje të xhamave të zinj të autobusit mavi. Ju jeni njerëz të ndërtimit, bizneseve, fermave. Ndër të madh për ju. Vajza dhe djem të Korçës pyeteni veten çfarë ka ofruar në 3 muaj rresht për ju pasagjeri, thjesht që do mbyllë dyert e universiteteve. Kjo s’do ndodhe kurrë. 23 qershori pra është dita e ëndrrës suaj, e vizionit tuaj për Korçën dhe Shqipërinë”, vijoi Berisha.

Kryeministri ndër të tjera i kërkoi kryesocialistit të japë llogari para shqiptarëve për një hetim të nisur nga kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher, për pastrim parash.

“Lakon emrin tim ta bëjë qindra e mijëra herë por vetëm dy gjëra do t’i kërkoj, jo si kryeministër por si qytetar. Zoti Rama njeriu më i fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara Dana Rohrabacher ka kërkuar zyrtarisht hetim për ju për larje parash, për 80 mijë dollarë, jepu shpjegim shqiptarëve. Shpjegoju se me drejtësinë amerikanë nuk bëhet shaka. Dinjiteti i shqiptarëve do të dijë të vërtetën që shtyn kongresmenin të kërkojë hetim për ty”, shprehet Berisha.

Akuzat e kryeministrit vijuan më tej me mos deklarimin e të ardhurave nga kreu i PS-së Rama. “Sali Berisha ka 20 vite rrogëtar në politikë, me të gjitha kursimet e tij ka arritur që një apartament 83 metër katror ta zëvendësojë me një 125 metër katror dhe kjo më mjafton, por edhe po të mos mjaftonte kaq ishin paratë e mia. Ti po ndërton një vilë 57 metra të gjatë, një pallat tjetër ke në pajë, s’ke deklaruar asnjë gjë nga vijnë paratë që ndërton vilën 600 mijë euro? Je i detyruar të tregosh të ardhurat para shqiptarëve”, tha ai.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›