E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwele vizitoi Jarinjen (Video)

Nga Express më 11 gusht 2011 në ora 15:37

(E plotësuar) Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle, nën përcjelljen e komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, e ka vizituar të enjten edhe pikën kufitare në Jarinje.

Westerwele ka arritur në Jarinje me helikopter, i cili ka aterruar në bazën e KFOR-it ‘Nothing Hill’ që ndodhet në afërsi të pikës kufitare.

Qysh para arritjes së ministrit gjerman, ushtarët amerikanë kanë ngritur nivelin e sigurisë në shkallën më të lartë.

Ndërkaq, përveç atyre gazetarëve që kanë ardhur së bashku me delegacionin e ministrit gjerman, gazetarët nga Mitrovica të cilët kishin ardhur për të përcjellë vizitën e ministrit nuk kanë mundur të depërtojnë deri tek kufiri, për shkak se ushtarët amerikanë në përbërje të KFOR-it nuk kanë lejuar një gjë të tillë.

Si rrjedhojë e kësaj, gazetarët e kanë përcjellë këtë vizitë nga një distancë prej 200 metrash. /kp/

Westerwelle: Kufijtë nuk mund të vihen në pikëpyetje

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Guido Westerwelle ka thënë të enjten në Prishtinë se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm dhe kufijtë e saj nuk mund të vihen në pikëpyetje.

Këto komente, kryediplomati gjerman i bëri pas takimeve të ndara që ka zhvilluar me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, me ç’rast ka inkurajuar zgjidhjen e problemeve përmes dialogut.

Ai ka ritheksuar qëndrimin e Republikës Federale të Gjermanisë sa i përket integritetit territorial të Kosovës, duke thënë se kjo është një çështje e përfunduar dhe nuk mund të ketë kthim prapa.

“E rëndësishme është që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në kuadër të një zgjidhje politike dhe ekonomike. Por një gjë është jashtëzakonisht e qartë se integriteti territorial i Kosovës për neve është i padiskutueshëm. Është shumë e qartë se harta e Ballkanit është ravijëzuar përfundimisht dhe nuk do të ketë rikthim në gjendjen kur kufijtë do të vihen në pikëpyetje. Ky është qëndrimi i Republikës Federale Gjermane të cilin unë e kam bërë të ditur edhe një vit më parë dhe të cilin e theksoj edhe sot. Pra edhe një herë harta e Ballkanit Perëndimor dhe e Evropës Juglindore është ravijëzuar përfundimisht dhe çështja e integritetit territorial është e përfunduar”, ka thënë Westerwelle.

Kryediplomati gjerman ka theksuar se ruajtja e paqes në Kosovë, do të thotë ruajtje e paqes në Evropë, përderisa ka shtuar se kanë përfunduar kohërat e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve.

“Kohërat e përleshjeve, konflikteve dhe mosmarrëveshjeve në bazë të vijave etnike, nuk është kohë evropiane. Kësilloj mosmarrëveshjes nuk do të duhej të ndodhnin në Evropën e shekullit XXI. Këtë ne e shohim si një çështje evropiane dhe e shohim si një çështje të secilit vend të Bashkimit Evropian. Por megjithatë po flasim si Evropë, sepse edhe ardhmëria e Kosovës është këtu dhe paqja e Evropës duhet të ruhet këtu dhe të garantohet. Për këtë Gjermania angazhohet posaçërisht jo vetëm në bazë të bashkëpunimit ekonomik, por edhe në kuadër të angazhimit tonë në kuadër të KFOR-it, apo në kuadër të kontributit tonë substancial në kuadër të EULEX-it”, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman.

Ai ka inkurajuar palët që ta realizojnë zgjidhjen e përkohshme të arritur, duke thënë se është shumë i rëndësishëm edhe procesi i dialogut i inicuar nga Bashkimi Evropian andaj duhet të fillojë sa më parë që është e mundur.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nga ana tjetër ka njoftuar ministrin gjerman për zhvillimet në Kosovë, përderisa ka vlerësuar se gjithçka që ka ndodhur kohëve të fundit, gjithë vendimet që janë marrë, kanë qenë në përputhje me dokumentet më të larta të Kosovës dhe dokumentet ndërkombëtare.

“Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës kanë qenë domosdoshmëri për të krijuar realitetin në sundimit të rendit e ligjit në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe Rezolutën 1244 që parasheh qartë respektimin e plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka falënderuar KFOR-in për punën që ka bërë gjatë këtyre ditëve për krijimin e një ambienti të sigurt, përderisa ka thënë se vendimet e Qeverisë për shtrirjen e autoritetit në veri ka qenë një vendim i munguar për të krijuar një jetë të re, stabile dhe normale për 40 mijë qytetarë serbë që kanë qenë peng të strukturave kriminale.

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me KFOR-in si Qeveri e Kosovës, duke respektuar në plotni marrëveshjen e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, natyrisht edhe në procesin implementues, pra për heqjen e barrikadave, lëvizjen e lirë dhe krijimin e ambientit të sigurtë dhe ndaljen e plotë të kontrabandës. Gjithashtu edhe bashkëpunimi me EULEX-in do të dëshmohet në angazhimet e mëtutjeshme”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka shprehur përkushtimin për plotësimin e reformave të nevojshme demokratike për përmbushjen e kritereve të domosdoshme për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin evropian.

I pyetur nëse do t’i lejohet Serbisë statusi i kandidatit për BE pa zgjidhjen e problemit me Kosovën, kryediplomati gjerman ka ritheksuar faktin se çështje e kufijve është e mbyllur dhe duhet të njihen nga secili shtet para proceseve integruese.

Ndërkohë ai u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Westerwelle: Integriteti territorial, i pacenueshëm

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle ka thënë të enjten pas një takimi që ka zhvilluar me presidentet Atifete Jahjaga, se Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe proceset integruese të saj.

Westerwelle e ka përgëzuar presidenten Jahjaga për marrjen e detyrës në krye të shtetit dhe tha se Gjermania është e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike.

Ai tha se është me rëndësi progresi i Kosovës në të gjitha fushat dhe në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik.

Në këtë rast, Westerwelle theksoi se Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe vlerësoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi i Kosovës me vendet anëtare të BE-së dhe në veçanti me Gjermaninë, si vend përkrahës i saj.

Sipas tij, duhet të koordinohen të gjithë hapat dhe theksoi rëndësinë e informimit, posaçërisht të vendit të tij, për veprimet që ndërmerren në Kosovë.

Kurse presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë vendi i tij Kosovës në të gjitha fushat.

Ajo tha se është me rëndësi thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën politike dhe ekonomike dhe vlerësoi se Gjermania mund të ndihmojë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Presidentja shtoi se Kosova duhet të kemi një rrugë të pakthyeshme të integrimit evropian dhe duhet të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, që do të thellonte reformat e brendshme dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas saj, nuk ka zgjidhje tjetër përveç sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe se nuk do të mbështetet ndarja e Kosovës ose riaranzhimet e brendshme të vendit tonë.

Jahjaga theksoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Republikën e Serbisë, dhe angazhimi i forcave policore për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi duke kontrolluar pikat doganore kufitare 1 dhe 31 dhe në gjithë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të parandalimit të kalimit ilegal dhe kontrabandës, dëshmon përkushtimin e shtetit të Kosovës për të ruajtur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj.

Ajo tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të gjejë zgjidhje praktike me të cilat jeta e qytetarëve në rajon mund të përmirësohet dhe theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të vendosin një marrëdhënie normale, sikurse e kanë të gjitha vendet e tjera në rajon, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan.

Ministri i jashtëm gjerman pritet të takohet edhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

Më pas, sipas agjendës Westerwelle do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Erhadr Buhler, përfaqësuesin e BE-së, Fernando Genitilin, shefin e EULEX-it, Havier But de Marnak, si dhe me zyrtarë të tjerë.

Në nisje të turneut të tij në rajon, Westerwelle tha se rruga drejt Bashkimit Evropian është përmes demokracisë, reformave dhe zgjidhjes paqësore të të gjitha konflikteve.

“Ka vetëm një rrugë për zgjidhjen e konflikteve dhe ky është dialogu”, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane.

Sipas tij, Gjermania nuk do të negociojë për integritetin territorial të vendeve të rajonit.

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle është ministri i parë i Bashkimit Evropian që viziton vendin tonë, pas ngritjes së tensioneve në veri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›