E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Mirel dorëzon progres raportin, merituat dialogun për vizat

PRISHTINE- Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë për Zgjerim të BE-së, Pier Mirel, i dorëzoi sot Prishtinës, progres raportin që Komisioni europian publikoi një ditë më parë.

Progres raporti i është dorëzuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila e ka vlerësuar atë si një dokument bazë, nëpërmjet të cilit Kosova ndihmohet në arritjen e standardeve evropiane.

Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian ka thënë se nga integrimi evropian përfitojnë të gjitha komunitetet, sikurse edhe të gjitha shtetet në rajon. Për këtë, ai ka kërkuar nga palët që të lënë të kaluarën prapa dhe të ripajtohen.

“Duhet të vijë koha që të kthehet faqja dhe kthimi i faqes nënkupton që të punohet së bashku në projekte të përbashkëta. Integrimi evropian është vizon i përbashkët për shtetet në rajon. Ne mendojmë se fillimi i dialogut të vizave është merituar nga Kosova pikësëpari, por ne sigurisht do të ndihmojmë për t’u siguruar se edhe reformat tjera do të miratohen dhe zbatohen”, ka thënë Pier Mirel.

Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, ka thënë se Kosova meritoi nisjen e dialogut për vizat.

Edhe presidentja Jahjaga ka përshëndetur nisjen e dialogut për vizat, i cili është thënë se do të nisë në dhjetor.

“Besoj se në të ardhmen e afërt do të gjenden modalitete për marrëdhënie kontraktuale të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, që përcakton qartë rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO. Ky është synim i vendit tim dhe gjithë rajonit” nënvizoi Jahjaga.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›