Kosovë, NATO-ja vendos të reduktojë trupat në 5 000
Komandanti i NATO-s, admirali Xhejms Stavridis bëri të ditur se në Kosovës do të mbeten vetëm 5 000 trupa. Kjo sipas tij vjen si pasojë e përmirësimit të gjendjes së sigurisë në vend. Në një konferencë në Uashington, komandanti suprem i forcave të NATO-s, admirali Stavridis tha se situata në Ballkan “nuk është e përsosur, por po shkon në drejtim të duhur”. Duke theksuar se NATO-ja tashmë ka vendosur t’i zvoglojë trupat në Kosovë nga 15.000 në 10.000, Stavridis tha se ai “me siguri” do të rekomandojë reduktimin e mëtejmë të trupave nga fundi i vitit 2010. Në shtator, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, bëri të ditur se aleanca do t’u përmbahet planeve për të reduktuar forcat paqëruajtëse të KFOR-it nga 15 mijë në 10 mijë në fillim të vitit. Por admirali Stavridis tha se reduktimi do të jetë edhe më i madh. “Unë po i reduktoj trupat atje nga 15 mijë në 10 mijë, dhe ndoshta në 5 mijë nga fundi i vitit”, tha Stavridis. Duke përmendur ish-Jugosllavinë si shembull i suksesit të aleancës, Stavridis tha se “NATO-ja ka qenë pjesë e procesit që ka lëvizur përpara” që nga koha e gjakderdhjeve në luftërat ballkanike, përfshirë dhe masakrën e 8.000 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995. Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, NATO u ngarkua me detyrë që të mundësojë sigurinë në Kosovë pas luftës dhe bombardimeve 78 ditëshe kundër Serbisë.
Stavridis i bëri këto komente në një mbledhje në Këshillin Atlantik në Uashington, ku bashkë me ish-sekretaren e Shtetit, Medlin Ollbrajt gjithashtu diskutuan ardhmërinë e aleancës.
I pyetur rreth rëndësisë së NATO-s, Stavridis tha se rëndësia e aleancës duket “vetvetiu”, duke përmendur këtu operacionet luftarake në Afganistan, misionin paqeruajtës në Ballkan dhe përpjekjet kundër piraterisë në Bririn e Afrikës. Por, komandanti suprem i aleancës tha se NATO-ja duhet të bëjë punë më të mirë që t’ia shpjegojë rolin e saj gjeneratës së re. Stavridis vlerësoi strategjinë e re të aleancës, të cilën javën e kaluar e publikoi paneli i ekspertëve, i kryesuar nga Medlin Ollbrajt. Ai tha se pret që anëtarët e aleancës të diskutojnë mbi mënyrat se si u ofrohet siguria shteteve të NATO-s, në kohën kur bëhen përgatitjet për misione “të ekspeditave” në botë.
21 Maj 2010