Masat e qeverisë, sindikatat zhvillojnë grevë paqësore në Athinë e Selanik
E gjithë jeta publike në Greqi është paralizuar nga greva e përgjithshme. Rreth 20 mijë persona kanë manifestuar në mënyrë paqësore në Athinë, kundër masave antikrizë të qeverisë Papandreu. Edhe Selaniku është përfshirë nga greva paqësore, ku rreth 5 mijë persona kanë marshuar në sheshe e rrugë. Protesta e djeshme ka qenë ndryshe nga ato të disa ditëve më parë, ku nga sulmet me bomba molotov humbën jetën tre persona. Kjo është greva e katërt e sindikatave, të cilat protestojnë kundër kursit drastik të kursimeve të qeverisë Papandreu për të shpëtuar vendin nga falimentimi. Anijet, trenat, metrotë nuk kanë lëvizuar gjatë gjithë ditës, po ashtu kanë qëndruar të mbyllura ministritë, shkollat dhe universitetet. Mjekët në spitale kanë mundur të trajtojnë vetëm rastet urgjente. Ndërkohë policia greke ka marrë të gjitha masat për të parandaluar shpërthimin e dhunës në vendet ku u zhvilluan protestat. Deri në fund të vitit 2012 grekët duhet të kursejnë rreth 30 miliardë euro. Programi i qeverisë parasheh ndër të tjera ndalimin e punësimit në sektorin publik, shkurtime rrogash si edhe kursime të mëdha në sektorin social. Qeveria greke ka miratuar një seri masash për të ulur deficitin buxhetor, mes të cilave spikat ajo e shkurtimit të rrogave dhe pensioneve të sektorit publik.
21 Maj 2010