Spanjë, Qeveria vendos taksë për të pasurit
Të gjithë personat që kanë të ardhura të larta në Spanjë do të paguajnë një shumë të caktuar të hollash. Kryeministri socialist i Spanjës, Hose Luis Zapatero po përgatit një taksë të re ndaj shtresës së pasur, bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave masa në fjale do të përfshijë të gjithë ata që deklarojnë se kanë të ardhura më të larta se 1 milion euro në vit. Masa në fjalë po përgatitet nga frika se vendi rrezikon të përfshihet në një krizë të thellë ekonomike si ajo që goditi Greqinë.
Kore e Jugut
Konfirmohet se anija u mbyt nga Peniani
Një grup hetimor i përbërë nga ekspertë britanikë, suedeze, amerikanë, australianë dhe koreano-jugorë ka arritur në përfundimin se Anija ushtarake koreano-jugore e mbytur në muajin mars, u mbyt pasi u godit nga një silur i ardhur prej një anijeje koreano-veriore. Pas goditjes, në këtë anije gjetën vdekjen 46 marinarë. Menjëherë Seuli akuzoi në atë kohë Penianin për sulm ndaj anijes, akuza këto që u hodhën poshtë nga Peniani zyrtar, i cili mohoi përfshirjen në “tragjedi”.
Gjermani
Merkel organizon konferencë për rregulla financiare
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka organizuar një konferencë me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë për të gjetur një pikëpamje të përbashkët për sa i përket rregullatorëve financiarë. Ajo tha se të gjitha qeveritë europiane duhet të vepronin së bashku duke treguar disiplinë më të madhe buxhetore. Ky takim zhvillohet para samitit të 20 vendeve më të industrializuara që mbahet muajin tjetër në Kanada. Gjermania është ekonomia më e madhe e Europës dhe ajo kërkon rregulla më të forta për tregjet financiare si dhe ndëshkime më të rënda për vendet që dalin me deficite të mëdha.
Turqi
Gjenden trupat e 28 minatorëve
Ekipet e shpëtimit në Turqi kanë mundur të gjejnë pas tre ditësh kërkime trupat e pajetë të 28 minatorëve. Ata kishin humbur pas shpërthimit në një minierë të qymyrit në provincën Zonguldak në Detin e Zi. Minatorët mbetën të ngujuar pas shpërthimit, i cili shkaktoi shembjen e minierës. Dy minatorë ende konsiderohen si të zhdukur, por zyrtarët thonë se janë të pakta gjasat që ata të jenë gjallë. Zyrtarët thonë se shpërthimi i të hënës u shkaktua nga një defekt elektrik, megjithatë nuk bëhen të ditura detaje të tjera.
21 Maj 2010