E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, PDK shtyn Kuvendin zgjedhor

Partia Demokratike e Kosovës edhe pse kishte paralajmëruar se do të mbante Kuvendin e ri zgjedhor të partisë gjatë kësaj vere, ajo është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Sekretari për marrëdhënie me publikun i kësaj partie, Enver Hoxhaj tha se Kuvendi zgjedhor mund të mbahet në vitin 2012, ose në pranverën e vitit 2013, në varësi kjo të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Sipas Hoxhajt, energjitë shtet-formuese dhe qeverisëse që ka PDK-ja në këtë faze, do të duhej të koncentroheshin në punën e Qeverisë, ndërsa për zgjedhjet e brendshme të mendohet për vitin tjetër.

Hoxhaj mohon të ketë frikë brenda PDK-së për mbajtjen e një Kuvendi të rregullt zgjedhor, me gjithë faktin se pas zgjedhjeve të fundit dhe koalicionit me AKR-në, në PDK është rritur pakënaqësia, sidomos tek disa eksponentë të fuqishëm politikë të saj.

Më 24 tetor të vitit të kaluar, PDK ka mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor, ku është konfirmuar mandati i Kryetarit Hashim Thaçi dhe Kryesisë së partisë, por nuk kishte zgjedhje të rregullta nëpër degë, nëndegë e seksione.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›