Kosovë, PTK-ja shitet për 277 milionë euro
Nis ankandi për privatizimin e Postës së Telekomit të Kosovës. Deri tani Komisioni qeveritar ka shpallur ofertën e konsorciumit nga Gjermania “Axos Capital Partners” dhe “Najafi Companies” me bazë në Amerikë, i cili ofroi çmimin më të lartë për blerjen e 75 përqind të aksioneve të PTK-së.
Ky çmim nuk arrinë as minimalin e qeverisë së Kosovës e cila kishte vlerësuar se Kompania më fitimprurëse e Kosovës, do të shitej të paktën për 300 milionë euro.
Kompania gjermane “Axos GMBH”, në konsorcium me atë amerikane “Najafi Companies” dhe me teknologji nga “British Telecom”, ka ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.
Por, vlera reale e ofertës së kësaj kompanie peshon 242 milionë euro, meqë 35 milionë euro do të ndalen nga kompania në rast se e njëjta vlerë e parave nuk është e ruajtur si bilanc pozitiv në PTK, në kohën kur kjo ndërmarrje kalon nën menaxhim privat. Ky çmim prej 242 milionë eurosh, është nën parashikimet minimale, madje më i ulët sesa ishte paragjykuar në buxhetin e vitit 2013.
Ministri i zhvillimit ekonomik të Kosovës, Besim Begaj, e ka vlerësuar proçesin e privatizimit të PTK-së, transparent dhe në harmoni me ligjin. Begaj siguroi se statusi i të gjithë të punësuarve mbetet i pandryshuar për tre vjetët e ardhshëm.
Ndërkaq qeveria e Kosovës ende ska shrehur mendimet e saj për këtë ofertë, ndërkohë që dy parti opozitare, sindikalistët dhe ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë ofertën të barasvlershme me falje, shkruan shtypi Kosovarë gjatë së Shtunës.