Qipro kërkon ndihmë shtesë nga BE-ja
Kriza
Pas vetëm pak javësh nga marrëveshja, gjërat në ishull duket se po ecin keq
Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, deklaroi dje se do të kërkojë ndihma shtesë nga Bashkimi Europian. Këtë javë u mësua se Qipro ka nevojë të gjejë para të tjera dhe se kostoja e shpëtimit të vendit nga falimenti është më e lartë sesa mendohej më parë. Në fillim ishte vlerësuar se Qipros i nevojiteshin 17.5 miliardë euro, nga të cilat 5.8 miliardë do ti gjente vetë dhe pjesën tjetër do tia jepnin kredi të butë BE-ja dhe FMN-ja. Por tani mësohet se kostoja e shpëtimit nga falimenti është në fakt 23 miliardë euro dhe Qipros i kërkohet të gjejë 13 miliardë.
Në Dublin të Irlandës, kreditorët janë mbledhur për të diskutuar se si mund të zgjidhet ky problem shtesë. Një zyrtar i Qipros i tha BBC-së se, në fakt vendi nuk po kërkon më shumë para nga kreditorët, por po kërkon zbutjen e kushteve për ta bërë marrëveshjen e shpëtimit të zbatueshëm. Ndërkohë, qeveria gjermane njoftoi se nuk ka ndër mend të pranojë financime shtesë për ishullin. Kontributi i kreditorëve ndërkombëtarë nuk do të ndryshojë, tha zëdhënësi i qeverisë, duke sqaruar se paketa prej 10 miliardësh sakaq është tepër e madhe.
Presidenti Anastasiades tha se sakaq ka folur me komisionerin e BE-së për Ekonominë, Olli Rehn. Privatisht, europianët mësohet se kanë shumë dyshime nëse paratë që po japin në formë kredie të butë do të kthehen ndonjëherë apo jo.
Qipro ka një ekonomi pothuajse tërësisht të lidhur me shërbimet bankare dhe kjo ekonomi është rrënuar tashmë. Për të gjetur burime të tjera ekonomike do të duhet kohë dhe vetë fakti nëse Qipro do të ketë rritje ekonomike në të ardhmen është i dyshimtë.
Qipro kërkon ndihmë shtesë nga BE-ja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email