Kosovë, Rexhepi: Në veri situata është e padurueshme

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë Bajram Rexhepi, një ditë pas sulmit me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it në veri,thotë se kjo pjesë e Kosovës ka probleme dhe sfida të shumta dhe se aty është krijuar një situatë e padurueshme.
Si zgjidhje për këtë situatë ai ka konsideruar se do të ishte një dialog i brendshëm me përfaqësues të komuniteteve. Sipas Rexhepit, Qeveria e Kosovës, si dhe ndërkombëtarët kanë qenë të vetëdijshëm para se të vendoset për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë se Pakoja e Ahtisasrit nuk mund të implementohet komplet në veri të vendit.
"Pakoja e Ahtissarit nuk mund të implementohet në veri për shkak se janë rrethana objektive që përveç institucioneve tona kanë përgjegjësi edhe ndërkombëtarët. Për pjesët e tjera ku është nën përgjegjësitë tona është përmbushur dhe ka ardhur më në fund edhe përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë", ka thënë Rexhepi.
Në pjesën veriore vazhdojnë problemet, por sipas ministrit të brendshëm kosovar në ditët apo javët e ardhshme do të ketë lëvizje pozitive.