E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Serbi, takimi i parë për zbatimin e marrëveshjes

PRISHTINE-Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga zv/kryeministrja Edita Tahiri me 30 dhe 31 maj ka qëndruar në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e parë për Zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nën kryesimin e BE-së, gjatë dy ditëve, janë mbajtur takime të shumta të grupeve punuese për çështjet e adresuara në Marrëveshjen për Normalizim dhe Planin për Zbatim, duke përfshirë çështjet e drejtësisë, sigurisë, të shkëmbimeve diplomatike, si dhe të energjisë dhe telekomit, u bë e ditur sot në një komunikatë zyrtare të qeverisë kosovare. 

Sipas komunikatës, në këto bisedime janë shënuar përparime të theksuara në drejtim të krijimit të planeve të detajuara për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, ku përfshihen përgjegjësitë dhe obligimet e të dyja palëve për të përmbushur obligimet që dalin nga Marrëveshja për Normalizim dhe Plani për Zbatim si dhe janë saktësuar afatet kohore brenda të cilëve duhet të bëhet zbatimi praktik.

Pas përfundimit të takimeve dy ditore, zv/kryeministrja Tahiri deklaroi se në bisedimet e Brukselit ka mbizotëruar një atmosferë pune mjaft konstruktive si dhe ka pasur rezultate konkrete në kuadër të angazhimeve për të çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim.

Ajo theksoi se është biseduar për dinamikën e zhbërjes së strukturave ilegale serbe në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë si dhe për hapat që pala Serbe duhet të ndërmarrë në këtë drejtim duke potencuar se duhet të respektohen afatet e parapara në Planin për zbatim.

“Rezultati kryesor në ketë raund të bisedimeve ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për shkëmbimin e përfaqësimit diplomatik mes dyja të shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas kësaj Marrëveshjeje e cila është negociuar për muaj të tërë, është arritur pajtimi se me 17 qershor 2013, të ndodh shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatik mes të dyja shteteve”, tha zv/kryeministrja Tahiri duke vlerësuar se, “kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë për normalizimin e marrëdhënieve mes dyja shteteve si dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për fqinjësinë e mirë, paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Po ashtu, gjatë këtyre dy ditëve në Bruksel, grupet e eksperteve janë takuar dhe kanë biseduar edhe për çështjen e telekomit dhe të energjisë. Zv/kryeministrja Tahiri deklaroi se, “qëndrimet për telekomin në mes të dy shteteve janë përafruar. Është arritur pajtimi që brenda këtyre ditëve, ndërmjetësuesi nga Bashkimi Evropian të ofrojë zgjidhje konkrete duke ofruar një model i dalë si rezultat i këtyre bisedave”.

Sipas komunikatës, për sa i përket çështjes së kodit shtetëror të Kosovës, Tahiri tha se Republika e Kosovës ka kërkuar dhe vazhdon të kërkoj që Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) të vendos që njërin nga kodet e mundshme, 383 ose 384 ti ndahet për shfrytëzim Kosovës dhe se në ketë drejtim pala serbe është pajtuar se nuk do të bëjë kundërshtime dhe se do të pajtohet me një vendim të tillë.

Gjithashtu edhe sa i përket çështjes energjisë janë shënuar përparime, por sikurse çështja e telekomit do të ketë ide shtesë nga ana e BE-së me qëllim të që procesi të ec drejtë finalizimit të marrëveshjeve. Rezultati i rëndësishëm që vlen të theksohet lidhur me këtë çështje është zotimi i palës serbe për vendosjen e bashkëpunimit ndërshtetëror, në mes autoritetit të transmisionit të Kosovës KOSTT dhe autoritetit homolog në Serbi, si dhe mos të pengohet rruga e këtij institucioni për tu bërë pjesë e institucioneve evropiane.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›