E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Thaçi: Veriu s’ka kthim pas

02-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se me ndërhyrjen në veri të Kosovës kanë ndodhur një sërë ndryshimesh të mëdha dhe pozitive. Në një intervistë për RTK, Thaçi ka nënvizuar se gjendja në veri nuk do të kthehet si ajo e mëparshme dhe as do të krijohet status kuoja. “Në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë do të vendoset rendi dhe ligji edhe në veri”, ka theksuar Thaçi. Ndër të tjera, kryeministri ka përgënjeshtruar zërat për synimin e tij për të garuar për postin e presidentit të Kosovës vitin e ardhshëm. “Unë kam një kontratë me qytetarët që më kanë dhënë besimin në zgjedhje dhe këtë kontratë si kryeministër i vendit e respektoj plotësisht”, ka theksuar Thaçi.
Më tej, ai ka kritikuar lëvizjen Vetëvendosje për rrëzimin e kamionit me mallrat serbe dhe ka bërë të ditur se disa deputetë të kësaj partie i kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj planit për veriun. Thaçi ka konfirmuar gjithashtu takimet sekrete me presidentin serb Boris Tadiç, por ka nënvizuar se, “persona të tjerë kanë qenë më pranë tij në kohën kur PDK ka qenë në opozitë”.

Do vijojë plani operacional

Të njëjtin mesazh Thaçi dha edhe disa ditë më parë, kur i sapokthyer nga Nju Jorku, u shpreh i vendosur për të përfunduar punën e nisur në veri.
Ai deklaroi se do të vazhdohet me largimin e barrikadave dhe me zbatimin e planit operacional.
Thaçi komentoi edhe plagosjen e 4 ushtarëve dhe disa serbëve në pikën kufitare në Jarinjë të Leposaviçit, duke thënë se, “të martën ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte”. “Do vijohet me përgjegjësitë për implementimin e planit operacional. Do vijohet me heqjen e barrikadave dhe nuk do ketë asnjë pengesë që do bllokojë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri”, deklaroi Thaçi.
Ai dënoi dhunën e ekstremistëve serbë ndaj KFOR-it dhe EULEX-it, dhe u bëri thirrje banorëve serbë që të tregojnë vullnet për bashkëpunim. Kryeministri kosovar ritheksoi gjithashtu mbështetjen që liderët ndërkombëtarë në Nju Jork dhanë për tërësinë territoriale të Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›