E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, ambasadorët e rinj dëgjohen më 6 janar nga komisioni

Kandidatët për ambasadorë të rinj të Kosovës, më 6 janar do të dalin para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ku do të dëgjohen nga këta të fundit. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “Zëri” e cila citon një burim të afërt me këtë komision. “Çështja tashmë është zgjidhur përfundimisht dhe se më 6 janar do të jetë dëgjimi i kandidatëve”, tha ky burim.
Sipas këtij burimi, pas përfundimit të procedurës për dëgjimin e kandidatëve, Komisioni do t`ia dërgojë raportin presidentes së Kosovës, e cila pritet ta bëjë emërimin e tyre.
“Rekomandimi për presidenten procedohet edhe me këto shkeljet e bëra. Është në dorën e presidentes a do t`i emërojë apo jo”, ka thënë ky burim.
Fillimisht emrat e dërguar në Komisionin për Punë të Jashtme ishin kundërshtuar nga ky komision si dhe nga grupi i grave deputete, për shkak që siç thuhet, janë bërë shkelje në Ligjin për barazi gjinore. Gjithashtu, reagime ka pasur edhe për nenin 7.7 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për MPJ dhe Shërbimit Diplomatik, ku thuhet se “të paktën pesëdhjetë për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe shefave të misioneve duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm”, ndërsa të gjithë emrat e propozuar janë kandidatë të rinj.
Pas këtyre kritikave, ministri Enver Hoxhaj, në një seancë të Komisionit për Punë të Jashtme ka dhënë disa sqarime shtesë, të cilat kanë bërë që ky komision të procedojë më tutje me çështjen e ambasadorëve.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›