E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, "anulohet" prishja e bashkëqeverisjes

Partia Demokratike e Kosovës ka "anuluar" prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në nivel qendror. PDK, ka bërë publike një komunikatë për media, ku ndër të tjera thekson se, kjo parti "mbetet fuqimisht e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe procesin e shtetndërtimit".
"Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të lira, të drejta dhe demokratike dhe gjithëpërfshirëse, nuk do te mund të ndikojnë në funksionimin e mirë të institucioneve qendrore: Parlamentit, Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatë.
Partneriteti i koalicionit në nivel qendror - sipas komunikatës së PDK-së - "mbetet i konsoliduar, i pacenueshëm dhe funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe marrëveshjen e koalicionit deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011". "PDK do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtetndërtimit dhe unitetit në prag të procesit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pritjes së njohjeve të reja dhe proceseve integruese euro-atlantike", përfundon komunikata e PDK-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›