Frçkovski: Beogradi dhe Shkupi skenare për të nxirë imazhin e Kosovës
Ish-kandidati presidencial maqedonas nga radhët e LSDM-së opozitare, Lubomir Frçkovski, konsideron se ekziston një marrëveshje mes qeverisë së Beogradit dhe Shkupit për të rrënuar imazhin e Kosovës dhe shtyrjen e marrëdhënieve diplomatike. Kjo sipas tij, ka nxjerrë në pah shumë dilema dhe prapaskena për lojën e Beogradit dhe Shkupit për të rrënuar imazhin e këtij shteti të ri fqinj. Qarqe politike opozitare kanë detektuar lojërat dhe skenaret e rrezikshme të këtyre dy vendeve për të izoluar Kosovën në mënyrë të heshtur. Frçkovski gjithashtu vlerëson se vizita e fundit e Gruevskit në Beograd është pjesë e skenarit që të margjinalizohen marrëdhëniet me Kosovën. “Vizita e fundit e ekipit qeveritar në Beograd, është një kusht i dhënë aty që të mos zhvillohen marrëdhëniet me Kosovën dhe të lihen anash. Ky është një moment politik që duhet të vlerësohet se përse kjo Qeveri po e bën këtë”,- ka theksuar Frçkovski. Sipas tij, Maqedonia po bën llogaritje për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën. “Sipas mendimit tim, kjo ndodh për shkak të ngrohjes së marrëdhënieve me Beogradin dhe pas dërgimit të sërishëm të ambasadorit maqedonas atje”,- ka theksuar ish-kryeministri Buçkovski.
31 Gusht 2009