E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosove celet ekspozita me monedha e kartemonedha shqiptare

Banka Qendrore e Kosovës ka hapur ekspozitën me monedha dhe kartëmonedhave të Shqipërisë për nder të 100-vjetorit të pavarësisë.
Gjatë një ceremonie solemne, kreu i Bankës së Shqipërisë i dhuroi Muzeut të Kosovës një set të monedhës shqiptare.

Gërguri: Ekspozita tregon historikun dhe fuqinë e monedhës shqiptare
Me këtë rast, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, ka thënë se kjo ekspozitë pasqyron monedhën shqiptare dhe jo vetëm kaq, por tregon edhe fuqinë e madhe në zhvillimin e shtetit shqiptar.
“Kjo ekspozitë është e veçantë për shkak se, si e tillë, jo vetëm që e pasqyron monedhën shqiptare, por ajo në të njëjtën kohë flet mjaft në mënyrë shumë të fuqishme edhe për historinë e zhvillimit të shtetit shqiptar. E veçanta e kësaj është se ne flasim për një monedhë, e cila aktualisht është ndër monedhat më të qëndrueshme sot në Ballkan, gjë që e bën edhe më të veçantë, dhe kjo është falë politikës së qëndrueshme monetare të cilën është duke e udhëhequr Banka e Shqipërisë”, ka thënë ai.

Abazi: Ekspozita ka rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore
Kurse zëvendësministri u Kulturës, Rinisë dhe i Sportit, Hajdin Abazi, ka thënë se kjo ekspozitë ka një rëndësi të madhe edhe nga këndi i trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Ky eveniment i sotëm ka një rëndësi të veçantë në shumë aspekte, ndërkaq për ne, si Ministri e Kulturës, ka një aspekt të veçantë shikuar nga aspekti i kulturës dhe i trashëgimisë kulturore, sepse këtu kemi eksponatet të monedhave dhe të kartëmonedhave brenda 100-vjeçarit. Nëse do të shohim periudhën 1912-1925 do të shohim një variacion shumë të madh të monedhave që tregojnë edhe përpjekjet për ta stabilizuar një monedhë, të cilën sot vetëm e ka shteti shqiptar”, ka thënë ai.

Fullani: Ismail Qemaili ishte ideatori i themelimit të një banke qendrore shqiptare
Ndërkaq, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka thënë se një nga çështjet kryesore të Qeverisë së Ismajl Qemailit, pas shpalljes së pavarësisë ishte edhe formimi i një banke qendrore.
“Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, një ndër çështjet kryesore të qeverisë së tij ishte formimi i një banke qendrore, e cila do të zhvillonte në përputhje me normat e bankave ndërkombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemail bei Vlora e konceptoi krijimin e bankës së parë qendrore shqiptare si një institucion financiar, i cili do të duhej t’i jepte jetë zhvillimit ekonomik dhe njëkohësisht stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i lumtur që sot me anë të kësaj ekspozite sillen në vëmendjen e publikut ngjarje të tilla historike që janë njëkohësisht edhe meritat e Ismajl Qemalit, të cilat e vendosin atë në piedestalin e merituar për shkak të aktivitetit të tij, por njëkohësisht edhe të vizionit të tij si shtetar dhe jo si idealist romantik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›