Kosovë, debat për 100 ditët e qeverisë "Thaçi"
Kryeministri Hashim Thaçi paraqiti dje një analizë për 100 ditët e punës së qeverisë së Kosovës përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku si meritë të veçantë ai tha se është shpallja e pavarësisë së Kosovës gjatë periudhës 100-ditore, e cila u njoh nga afër 40 shtete. Kryeministri, në paraqitjen e informatës së qeverisë për punën 100-ditore, tha se "ky informacion nuk është obligim kushtetues, por vullnet i qeverisë". Ai tha se "Kosova është shumetnike me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët dhe komunitetet". "Një meritë e veçantë e kësaj qeverie është shpallja e pavarësisë së Kosovës gjatë periudhës 100-ditore, e cila u njoh nga afër 40 shtete, ndërkohë që e ka nxjerrë edhe Kushtetutën, e cila i siguroi një perspektivë të veçantë Kosovës dhe integruese", tha Kryeministri Thaçi në paraqitjen e tij para deputetëve. Ramë Buja, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, e ka mbështetur programin e qeverisë, duke iu referuar vetë fjalës së Kryeministrit dhe se përkrahu miratimin e programit. Edhe Lutfi Haziri, shef i grupit parlamentar të LDK-së, tha se ky grup e mbështet programin e qeverisë, duke u nisur edhe nga puna e ministrave të LDK-së, të cilët kanë marrë pjesë në hartimin e programit. Në emër të AKR- së, Ibrahim Gashi, tha se nga ajo që tha Kryeministri ishte gjithëpërfshirës. Ai tha se problemi kryesor është qasja e tij, qëllimet që ofrohen lehtë në letër, por mungesa e mekanizmave që ta realizojnë atë, tha se mungon deficiti implementues. Ai tha se ka nevojë të thuhet që ky plan duhet të implementohet dhe jo vetëm të thuhet se ka. Deputeti Gashi tha se "plani është një ‘lulishte‘ e vërtetë, por ka diskrepancë të madhe në përmbushje". Ai tha se në kohën që reklamohet përmirësimi i skemës sociale nuk thuhet se si do të kompensohet ai buxhet. Ai tha se buxheti është shumë i ulët për të përmirësuar skemën sociale. Ardian Gjini, në emër të AAK-së, tha se programi nuk ka ndryshuar asgjë përveç datave të përmendura 17 shkurt etj. Nuk ka program, pasi nuk thuhet askund se do të vilet kështu dhe ashtu, tha Gjini. Ai tha se kjo qeveri edhe pas 100 ditëve nuk ka arritur të nxjerrë as edhe një togfjalësh që premton saktësisht. Ai citoi planin tre rreshtash për pensionet, sipas të cilit nuk tregohet mënyra, përveç se do të shikohen mundësitë. Gjini citoi sërish programin për komunat, duke thënë se nuk thotë asgjë konkrete. Deputeti Gjini tha se ky dokument është i "pavlerë" dhe se përmban gjëra të "paturpshme". Duke folur për njohjen ndërkombëtare, deputeti Gjini tha se "deri më tani ka përfunduar njohja kualitative, ndërsa vendet që nuk na kanë njohur janë numra". Ai fajësoi qeverinë për mosnjohjen e më shumë vendeve. Ai tha se qeveria ka dështuar të japë edhe idenë më të thjeshtë për zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës. "Ajo vetëm ka prit dhe ka këqyrë seri", tha ai. "Në këtë mënyrë po instalohet mashtrimi publik në këtë formë", tha Gjini, duke vlerësuar se po instalohet një regjim, izolim nga mediat etj. Edhe Lulzim Zeneli, në emër të LDD-së, tha se ky dokument mund të jetë gjithçka tjetër, por jo program. Ai tha se më se 80 për qind nuk ka objektiva programore. Ai tha se është e vështirë të diskutohet, ndërsa ka shprehur keqardhje për partnerin e PDK-së në koalicion, LDK-në, e cila tha se ka pasur traditë. Ndryshe, debati për programin e qeverisë vazhdon në orët e pasdites.