E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa në Poliçan: Demontimet do të bëhen këtu

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka zhvilluar dje një vizitë në qytezën e Poliçanit, ku ndodhet dhe një prej uzinave për prodhimin e armëve. Vizita e ministrit ka pasur si qëllim njohjen e kapaciteteve të këtij kombinati për përballimin e demontimit të armëve dhe municioneve të ushtrisë shqiptare. Gjatë takimit me drejtuesit e këtij kombinati dhe punëtorëve të tij, Oketa është shprehur se "përmirësimi i teknologjisë së procesit të demilitarizimit, me qëllim rritjen e kapacitetit dhe uljen e kostos në kufijtë minimalë, është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, prandaj dhe kjo vizitë ka për qëllim njohjen nga afër dhe thithjen e mendimit të specialistëve për realizimin e objektivit, që brenda vitit 2013 Shqipëria të ketë shkatërruar 98 mijë tonë municione të trashëguara". Sipas Oketës, ky objektiv kërkon përfshirjen e kombinatit të Poliçanit, që ka makineritë e nevojshme, ambientet e përshtatshme, si dhe specialistët përkatës, që dikur kanë punuar apo punojnë ende pranë këtij kombinati, i cili ka nisur veprimtarinë e tij në vitin 1967 dhe ka pasur si qëllim prodhimin e armatimit dhe municioneve që tashmë duhen të shkatërrohen. Në vitin 1997, ky kombinat është shpallur "Objekt i rëndësisë të veçantë" dhe ruhet nga strukturat ushtarake, duke qenë dhe nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Nisja e këtij procesi, jo vetëm që përfshin të gjitha kushtet teknike dhe ato të sigurisë, por do të ulë edhe problemet sociale të banorëve të këtij qyteti, pasi do të punësojë përsëri një numër të konsiderueshëm specialistësh dhe punëtorësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›