E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia: Kosovën do ta njohim më vonë

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, deklaroi se do të zgjasë edhe një kohë derisa të merret vendimi se a do ta njohë Maqedonia Kosovën. "Maqedonia ende nuk e ka pranuar Kosovën. Këtë çështje po e shqyrtojmë. Meqë Maqedonia nuk është Britani, ne jemi fqinjë me Serbinë dhe Kosovën dhe dëshirojmë që me ta të kemi marrëdhënie të mira", tha Milloshoski në një intervistë për gazetën çeke "Lidove novini". Sipas tij, "zhvillimet në Kosovë, Serbi dhe në Bosnjë janë tema të vazhdueshme, të cilave, Bashkimi Evropian duhet t‘u kushtojë kujdes". Duke u shprehur për kontestin për emër me Greqinë, ministri Milloshoski tha se Maqedonia nuk e sheh me optimizëm zgjidhjen e kësaj çështjeje. "Është shumë vështirë të gjendet një zgjidhje. Mendojmë se ky nuk është kontest për emër. Me këtë problem, Greqia vetëm po e fsheh axhendën e saj të fshehtë, që Maqedonisë të mos i njihet e drejta e vetëvendosjes kombëtare dhe gjuhësore", tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski. Ndërkaq, dje, u zhvillua takimi i dytë i Komisionit të përzier Teknik për demarkacionin e kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës, i cili mbaroi me sukses. Përfaqësuesi kosovar, Bekim Çollaku, deklaroi në takim lidhur me demarkacionin se është nënshkruar protokolli midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë. Kryetarët e komisionit nga ana kosovare, Bekim Çollaku, dhe maqedonase, Todor Nanev, nënshkruan protokollin në të cilin parashihet që procesi i demarkacionit kufitar midis Maqedonisë dhe Kosovës të mbarojë në afat prej 1 viti. "Protokolli bazohet në Planin e Ahtisarit dhe marrëveshjen e vitit 2001. Në të parashihet që brenda 1 viti, komisioni ta mbarojë demarkacionin", theksoi Todor Nanev. Takimet do të vazhdojnë në periudhën e ardhshme, kurse takimi i radhës do të mbahet në Prishtinë, kur edhe duhet të vendoset për materialet e tjera të cilat janë pjesë e memorandumit. Nanev deklaroi se në takim nuk ka pasur momente të kundërshtimeve apo mosmarrëveshjeve. Përfaqësuesi kosovar, Bekim Çollaku, ka deklaruar se dokumenti është nënshkruar me "Republika e Kosovës". Ndërsa brenda 20 ditëve komisioni do të dalë në terren. Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë. Protokolli është nënshkruar në pajtim me nenin 3.3 nga aneksi 8 i Planit të Ahtisarit. Takimi u zhvillua në kryeqytetin maqedonas, Shkup. Dy delegacionet nisën shqyrtimin dhe vlerësimin e mënyrës dhe dinamikës për aktivitetet e mëtejshme në procesin e shënimit të vijës kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë. Deri një vit më parë, Maqedonia kishte marrëveshje kufitare me Serbinë, por UNMIK-u nuk ia njohu asnjëherë këtë vendim të qeverisë së Shkupit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›