E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, konfirmohet dënimi për Dacin e Alishanin

Gjykata Supreme, ka vërtetuar dënimin ndaj ish- kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit për shpërdorim të detyrës si dhe dënimet e shqiptuara. Në një njoftim të Gjykatës Supreme, thuhet se një trup gjykues i përbërë me dy gjykatës kosovar dhe një të EULEX-it në Gjykatën Supreme, në aktvendimin e tyre lidhur me ankesën e parashtruar, kanë konfirmuar ndërsa e kanë ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kundër Nexhat Dacit dhe Ahmet Alishanit të datës 10 nëntor 2010.

“ Gjykata Supreme e vërtetoi dënimin e Nexhat Dacit për shpërdorim të detyrës si dhe dënimet e shqiptuara”, thuhet në njoftim.

Rasti kishte të bënte me blerje të pasurisë dhe shërbimeve me urdhër të Nexhat Dacit e që u paguan nga buxheti i Kuvendit të Kosovës, ndërsa u përdorën privatisht. Nexhat Daci në atë kohë ishte Kryetar i Kuvendit, kurse Ahmet Alishani ishte Këshilltar për Siguri i Kryetarit të Kuvendit.

Gjykata e qarkut në vitin 2010, e shpalli Nexhat Dacin fajtor për shpërdorim të detyrës dhe e dënoi me një vit e 6 muaj burg. Ahmet Alishani kishte ndihmuar në këtë vepër penale dhe u dënua me 6 muaj burg. Të dyja dënimet u pezulluan për një periudhë verifikimi prej 2 vitesh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›