Kukan: “Parimi i demokracisë, askush nuk është mbi ligjin”

Kryetari i Delegacionit të Evropës Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, përmes një deklarate për shtyp, shpreh dëshirën që kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, të ndërmarrë hapat e duhur, kjo për të siguruar mbështetje në Kuvend, në rast se një kërkesë për heqjen e imunitetit vjen nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
Sipas Kukan, dështimi i Parlamentit për të lejuar hetimet e veprave të supozuara penale të deputetëve, mund të jenë shkatërruese për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Parimi kyç i një demokracie funksionale është se askush nuk është mbi ligjin. Roli i imunitetit në një vend demokratik, nuk është për të mbrojtur një ligjvënës individual, por për të mbrojtur institucionin legjislativ në emër të popullit” tha Kukan.
Më tej thuhet se Kukan, në takimin e djeshëm me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, mbështeti plotësisht përpjekjet e EULEX-it për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ai gjithashtu pranon sfidën e Krasniqit, i cili është duke u përballur në ruajtjen e autonomisë së Kuvendit të Kosovës. “Unë jam i sigurt se institucionet e Kosovës do të mbështesin plotësisht përpjekjet e EULEX-it për hetimet në vazhdim, në mënyrë që çështja do të trajtohet në mënyrë të përshtatshme”, tha më tej Kukan.