E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, kryeministri Thaçi njofton ndryshime të tjera në qeveri



Pas ndërrimit të shtatë ministrave të kabinetit qeveritar, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se do të ketë edhe ndërrime zëvendëskryeministrash. Burime afër qeverisë shprehen se po bëhen përpjekje për të rikthyer në qeveri disa nga ministrat që janë shkarkuar, por tani në poste të zëvendësministrave. Opozita në Kosovë kërkon zgjedhje të parakohshme dhe një qeveri teknike deri në zgjedhje. Të paktën gjashtë zëvendësministra në qeverinë aktuale të Kosovës, pritet që të shkarkohen, në kuadër të një marrëveshjeje të partnerëve të koalicionit për ndryshime në kabinetin qeveritar. Zyrtarë të qeverisë thonë se paketa e ndryshimeve do të mund të përmbyllet brenda pak ditësh kur pritet që kryeministri Thaçi të bëjë publikë emrat e rinj në postet e zëvendësministrave. Bëhet me dije se disa nga ministrat e shkarkuar ditë më parë, në kuadër të procesit të, siç u quajt, riformatimit do të rikthehen në qeverinë e Kosovës në cilësinë e zëvendësministrave, por tani në dikastere të ndryshme nga ato ku kanë shërbyer. Ndryshimet në qeverinë e Kosovës përfunduan javën e kaluar, pasi partnerët e koalicionit u pajtuan që të ndërrojnë shtatë ministra. Ndryshimet u cilësuan nga opozita si përpjekje për të vazhduar me qeverisjen e vendit, e cila u vlerësua nga ajo si e dobët dhe e dëmshme për vendin. Udhëheqës të opozitës kërkuan zgjedhje të parakohshme për ta nxjerrë, siç thanë vendin nga kriza, ndërkohë që kryetari i Aleancës Kosova e Re, afaristi Bexhet Pacolli, së fundi ka kërkuar një qeveri teknike deri në përfundimin e zgjedhjeve të tilla.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›