E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Obama prezanton planet e reja për armatimin bërthamor



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama ka vendosur që vendi i tij të reduktojë në mënyrë të ndjeshme kushtet në kuadër të të cilave SHBA-të do të mund të përdorin armët bërthamore, edhe në rast mbrojtjeje. Lajmi është bërë i ditur nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, në një intervistë për “Nju Jork Tajms”.
Zyrtarët amerikanë shprehen se Uashingtoni dëshiron të tregojë sigurinë për mbrojtjen atomike, të cilën ua ofron aleatëve. Dokumenti politik, i quajtur “Rishikimi i Sjelljes Atomike”, po publikohet një vit pas diskutimeve me Pentagonin dhe po ashtu konsultimeve me qeveritë aleate. Ky është rishikimi i parë i politikës atomike nga Shtetet e Bashkuara, prej vitit 2001, dhe i treti prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, para dy dekadash. Pritet që në të, të përfshihet terminologjia, që redukton mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në armatimin atomik për mbrojtjen e vet kombëtare, duke i zvogëluar caqet potenciale atomike të Shteteve të Bashkuara. Në intervistën për “Nju Jork Tajms”, Obama, tha se administrata e tij, në mënyrë të qartë, është e përkushtuar që armatimin atomik të mos e përdorë kundër shteteve jo bërthamore, që bashkëpunojnë me Marrëveshjen globale për moszgjerim atomik, edhe në rast se ato i sulmojnë Shtetet e Bashkuara me armatim biologjik ose kimik. Presidenti tha se kërcënime të tilla mund të zmbrapsen me “një sërë opsionesh vlerësuese”, që është një kombinim i armatimit konvencional të vjetër dhe të ri. Por, Obama tha se përjashtim mund të ketë për “rastet e veçanta, siç janë: Irani dhe Koreja Veriore”. Ai po ashtu theksoi se është i bindur se Irani është në rrugën që “po u mundëson atyre kapacitete të armatimit bërthamor”. Ndryshimet e politikës, të përmendura nga presidenti Obama, e reflektojnë përkushtimin e tij drejt botës pa atom. Publikimi i “Rishikimit të Sjelljes Bërthamore” bëhet para nënshkrimit të pritur nga presidentët Barak Obama dhe Dmitri Medvedev të marrëveshjes së re “START”, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do t’i reduktojnë arsenalet e armatimit atomik. Nënshkrimi i këtij dokumenti bëhet nesër në Pragë të Çekisë. Eksperti Kingston Reif, nga Qendra për Kontroll të Armatimit dhe të Moszgjerimit, me seli në Uashington, është shprehur se ndryshimet në politikën bërthamore të Shteteve të Bashkuara, mund t’i forcojnë argumentet e zotit Obama, se vendet e tjera duhet ose t’i reduktojnë arsenalet e veta atomike, ose të tërhiqen nga përpjekjet për zhvillim të armatimit atomik. “Duke pasur parasysh samitin për siguri dhe konferencën e rishikimit të moszgjerimit, mendoj se ‘Rishikimi i Sjelljes Bërthamore’, i cili realisht nuk largohet nga status kuo-ja, mund ta vështirësojë rolin e Shteteve të Bashkuara në këto konferenca të ardhshme”.

Greqi
Emri i Maqedonisë, Athina insiston zgjidhje të menjëhershme

Një çështje që duhet të zgjidhet menjëherë për Greqinë është ajo e emrit me Maqedoninë. Ministri grek i Punëve të Jashtme Dimitris Drutsas ka konfirmuar se emri i propozuar kohë më parë nga negociatori i OKB-së, Methju Nimiç, Republika e Maqedonisë Veriore, është ai që preferon Athina. Sipas tij, nëse Gruevski e kundërshton këtë propozim, atëherë ai vetë duhet t’i shpjegojë popullit të tij privimin nga perspektiva evropiane, ka theksuar qeveritari grek. Kjo frazë tregon se Greqia do të vazhdojë taktikën e saj të bllokimit të anëtarësisë të Maqedonisë në BE dhe në NATO, qëndrim që e ka përsëritur vazhdimisht.

Turqi
Grushti i shtetit, Erdogan tenton të ndryshojë kushtetutën

Pas përpjekjes së para tre vjetëve për ndryshimin e kushtetutës, e cila dështoi për shkak të rezistencës masive të opozitës kemaliste, kryeministri turk Erdogan ka marrë sërish seriozisht këtë çështje. Ai synon ndryshimin e rreth 23 neneve të kushtetutës të përcaktuara nga gjeneralët puçistë të vitit 1980.
Në fjalën e tij para parlamentit, Erdogan u shpreh se këto ndryshime i shërbenin forcimit të shtetit dhe afrimit me Bashkimin Europian. Çdo përpjekje për t’i shtyrë këto ndryshime, sipas tij janë thjesht një humbje kohe.

Britani e Madhe
Zgjedhjet e përgjithshme, më 6 maj

Kryeministri britanik Gordon Braun ka vendosur që zgjedhjet e përgjithshme në Britani të zhvillohen pas një muaji, më 6 maj.
Zgjedhjet, të cilat ka gjasa të dominohen nga çështjet si taksat dhe shpenzimet pas recesionit global, do të shohin partinë Laburiste të përpiqet të marrë një mandat të katërt për herë të parë në histori. Braun i kërkoi Mbretëreshës Elisabetë të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve.
Katër javët e fushatës elektorale pritet që të dominohen nga ekonomia, defiçiti shumë i lartë buxhetor dhe personaliteti i udhëheqësve të partive kryesore.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›