E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, mbahet sot demonstratë e fuqishme

Prishtinë (start)- Sot rreth orës 12:00, në qendër të Prishtinës do të mbahet një tubim i madh, në shenjë proteste kundër planit më të ri të OKB-së, për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, i njohur ndryshe si plani gjashtëpikash. Rreth 15 organizata jo qeveritare dhe lëvizje të ndryshme qytetare në Kosovë, kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre në këtë protestë. Slogani i protestës është: “Demonstro për Kosovën sovrane dhe të pavarur dhe kundër 6 pikave!”.

Protesta do të nisë para Bibliotekës Kombëtare, dhe do të vijojë tek Kuvendi i Kosovës dhe do të përfundojë tek ndërtesa e UNMIK-ut, atje ku edhe do të mbahen fjalimet e rëndësishme. Demonstruesit do të përshkojnë trajektoren në formë të shkronjës S, që simbolizon sovranitetin e Kosovës.

Për këtë demonstratë janë bashkuar Lëvizja Vetëvendosje!, Çohu, Thirrjet e Nënave, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, Rrjeti Rinor i Kosovës, Aksioni Qytetar FOL'08, CBM-Mitrovicë, Iniciativa për Progres dhe shumë organizata të tjera.

Qytetarët kosovarë protestojnë në një kohë, ku mbi liderët e shtetit të Kosovës, gjenden nën presion të diplomacisë ndërkombëtare për të pranuar planin e ri, që u jep më shumë autonomi serbëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›