E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi, zgjatja e mandatit presidencial po kthehet në ligj

Moskë(start)- Dhoma e ulët e Parlamentit në Moskë, ka miratuar propozim për të zgjatur mandatin presidencial rus me dy vjet të tjera. Propozimi i presidentit Medvedev po kthehet tashmë në ligj. Kritikët e Kremlinit theksojnë se zgjatja e mandatit presidencial nga katër në gjashtë vjet është pjesë e një skeme për të rikthyer ish-presidentin e pushtetshëm, Vladimir Putin, në postin e tij të dikurshëm, por zyrtarët e mohojnë një plan të tillës.

Në leximin e dytë nga tre të tillë, Dhoma e Ulët e parlamentit, Duma, votoi me 351 vota pro dhe 51 kundra për të miratuar ndryshimet kushtetuese që zgjasin mandatin presidencial në gjashtë vjet dhe mandatin e vetë Dumës në pesë nga katër vjet.

Deputetët komunistë ishin grupi i vetëm i votuesve të cilët ishin kundër amendamenteve. Ndryshimi i mandatit të Kremlinit u propozua nga presidenti Dmitri Medvedev, por nuk do të aplikohet për mandatin e tij.

Disa analistë theksojnë se ndryshimet kushtetuese mund të jenë një justifikim ligjor për të thirrur zgjedhje presidenciale të parakohshme, ku Putini, i cili shërben si një kryeministër me kompetenca të plota, mund të kandidojë sërish, por një ide e tillë është mohuar nga zëdhënësi i Putinit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›