E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, mijëra protestues në Prishtinë kundër planit 6-pikësh

Prishtinë (start)- Mijëra protestues nga të gjitha komunat e vendit demonstruan të mërkurën në Prishtinë kundër planit gjashtë pikësh të OKB-së që parashikon plotësimin e kushteve të Beogradit për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Protestuesit kërkuan që EULEX-i të shtrihet në Kosovë në marrëveshje me Prishtinën, jo me Beogradin.

Demonstruesit të thirrur nga disa organizata joqeveritare dhe lëvizja "Vetëvendosje", nën moton "Ta mbrojmë sovranitetin e Kosovës", marshimin e tyre e kanë filluar nga Biblioteka Kombëtare Universitare, rrugës "Agim Ramadani" në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, sheshit "Nënë Tereza", për të përfunduar para ndërtesës së UNMIK-ut, tani EULEX-it.

Lideri i "Vetëvendosje", Albin Kurti, para protestuesve tha se janë mbledhur për t'i thënë jo ndarjes së Kosovës dhe sipas tij, nëse Kosova është sovrane, për të duhet të vendosë vetëm populli i saj.

"Thuhet se EULEX-i është neutral dhe ky neutralitet do të thotë paanshmëri ndaj dy palëve, por kur thuhet se është neutral, duan të thonë se për çështjen e Kosovës të vendosë edhe Kosova edhe Serbia", tha Kurti.

Ai tha se Serbia më nuk mund të vendosë për Kosovën, por sipas tij, neutraliteti i EULEX-it e legjitimon Serbinë si palë për të vendosë për Kosovën.

"Nëse EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës, ne nuk jemi neutral ndaj statusit tonë, prandaj nuk jemi neutral as ndaj EULEX-it", tha ai.

Kurti shpjegoi para protestuesve se prezenca e ndërkombëtarëve në Kosovë është e pranueshme, por tha se ajo duhet të vendoset në marrëveshje me kosovarët e jo me Serbinë, ndërkohë bëri me dije se ndërkombëtarët duhet ta ndihmojnë Kosovën, e jo ta sundojnë.

Ndërsa sa u përket liderëve të institucioneve të vendit, Kurti tha se para se ata t'i ofrojnë bashkësisë ndërkombëtare plane, duhet t'i ofrojnë plane popullit të Kosovës.

"Ata i kanë ofruar Fried-it një plan, mirëpo ky plan do të përfundojë si qëndrim i palës kosovare në negociatat e ardhshme", tha Kurti, i cili paralajmëroi se do të ketë edhe demonstrata tjera në ditët e ardhshme.

Igballe Rugova nga Rrjeti i Gruas duke dhënë një mesazh të qytetarëve të Kosovës, tha se qëllimi i Beogradit është ndarja e Kosovës dhe kjo reflektohet përmes gjashtë pikave të Ban Ki Moon-it, të cilat e ndajnë Kosovën dhe me këtë nuk do të pajtohen kurrë qytetarët e Kosovës.

"Ne qytetarët e Kosovës kërkojmë që EULEX-i të mos jetë neutral, por të zbatojë Kushtetutën e Kosovës dhe për të qenë i suksesshëm duhet të zbatojë parimet e shtetit të Kosovës", tha Rugova.

Protesta e sotme është thirrur një ditë pasi që krerët e institucioneve të Kosovës, përfundimisht hodhën poshtë planin e OKB-së dhe propozuan një plan të ri për shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, i cili ka për bazë Kushtetutën e Kosovës, Planin e Ahtisaari-t, ligjet e Kosovës dhe Planin e Veprimit Aksional, të miratuar nga Bashkimi Evropian pak ditë para shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të këtij vit.

Protestuesit u shpërndanë të qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident.
Veton Rugova/// foto telegrafi

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›