E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngërçi për zgjedhjen e presidentit në Kosovë, mungesa e opozitës shtyn sërish seancën

Për herë të dytë, seanca e jashtëzakonshme për përzgjedhjen e presidentit të Kosovës është shtyrë, kësaj radhe për në orën 19:00, pas shtyrjes së mëparshme nga ora 10:00 në 14:00.

Ashtu si edhe më herët, shtyrja e kësaj seance erdhi për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës në sallë.

“Për shkak të mungesës së opozitës, dhe gjithnjë duke u përpjekur që t’i kemi ata në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për shkak të obligimeve… Ju njoftoj që kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. 

Nëse presidenti i ri i Kosovës nuk zgjidhet brenda mesnatës së sotme, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.

Kujtojmë se në votim, një ditë më parë morën pjesë 64 deputetë. Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk siguroi asnjë votë. Opozita nuk mori pjesë në proces, duke e cilësuar atë si antikushtetues.

Kreu i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha se nominimet u bënë për të shmangur zgjedhje të reja dhe se seanca kishte kuorum për nisje. Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e quajti zhvillimet “puç kushtetues”, duke insistuar se Kushtetuta kërkon prezencën e 80 deputetëve për votim.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi natën si “të rëndë për demokracinë”, duke theksuar se presidenti duhet zgjedhur përmes marrëveshjes politike. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e quajti seancën “sulm ndaj Kushtetutës” dhe “tentim për grusht-shtet”.

Një ditë më parë kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shpalosi listën me 15 votat e deputetëve për, siç tha ai, kandidatin për president të propozuar nga LDK, duke mos e përjashtuar as mundësinë që votat të shkonin për Vjosa Osmanin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›