E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, ndryshime qeveritare në kabinetin "Thaçi"

Në Qeverinë e Kosovës do të ketë ndryshime të vogla, të cilat nuk do të krijojnë vakum juridik dhe institucional. Kështu u shpreh për Alsat Zv/Kryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi, duke shtuar se vendimin për ndërrimin e ministrave do ta marrë Kryeministri Thaci së bashku me partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ka qenë një ide e cila është kristalizuar tani më, por besoj që i
mbetët kryeministrit që së bashku me partnerët e koalicionit ta merr
vendimin e duhur në kohën e duhur dhe për personat adekuat, por nuk do
të ketë ndonjë lëvizje radikale, apo ndonjë lëvizje që krijon vakum
juridik institucional. Besoj se të gjitha do të shkojnë në mënyrë të
natyrshme dhe të cilat do të japin një efekt më të madh për qeverisjen
efektive më efikase dhe në dobi të qytetarëve”, tha Hajredin Kuqi,
Zv/Kryeministër i Kosovës.

Zv/Kryeministri Kuqi tha se ende nuk është diskutuar për ministrat që do
të largohen dhe as për emrat e rinj të kabinetit qeveritar. “Të jem
shumë i sinqertë që emra konkret të ministrave që do të shkojnë dhe as
të atyre që do të vijnë, nuk është diskutuar deri më tani. Të gjitha
pjesët e bisedimeve kanë qenë një pjesë e procesit dhe tani ato që kanë
dalë nëpër media janë pjesë të spekulimeve të ideve që mund të japin
njerëzit pjesë e së cilës nuk dua të jem”, vijoi Kuqi.

Riformatimi i Qeverisë, sic është quajtur nga Kryeministri Thaci, ka
ardhur si rezultat i zgjedhjeve lokale dhe përplasjeve gjatë fushatës
zgjedhore midis partnerëve të koalicionit, PDK-së dhe LDK-së. Por sipas
të gjitha gjasave, nuk do të këtë riformatim të qeverisë para rivotimit
në Prizren e Lipjan dhe vendimit për rivotim, ose jo në Gjilan

Shkëlzen Osmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›