E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, në dy ditë 12 raste të reja me A/H1N1

PRISHTINE- Brenda dy ditësh, numri i të prekurve nga Gripi i Derrave në Kosovë është rritur për 12 veta më shumë.
Vetëm dy ditë më parë, gjithsej numri i të prekurve nga ky virus është lajmëruar të jetë 167, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të enjten ka thënë se tashmë në Kosovë janë 179 raste pozitive me A H1N1.

Ndërsa është bërë e ditur se nga 15 korriku e deri tani në Kosovë janë regjistruar 556 raste të dyshimta me grip. Këtë e ka konfirmuar Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së.
Po ashtu, është bërë e ditur se Komiteti Nacional për Sëmundje Ngjitëse shqyrtoi situatën rreth gripit A H1N1.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka pohuar se tashmë po përmirësohet edhe sistemi i raportimit nga terreni. Ai po ashtu konfirmoi se me ndihmën e OBSH-së janë siguruar reagjensat që Qendra Kombëtare për Grip të mund të punojë analizat edhe për dy tre javët e ardhshme pa probleme.

Zyra për informim e MSH-së ka paralajmëruar se sot në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës në Prishtinë do të mbahet një takim profesional në formën e video-konferencës, ku do të diskutohet për menaxhimin klinik të rasteve të gripit pandemik A H1N1.

Thuhet se video-konferenca do të jetë një lidhje e drejtpërdrejtë e Prishtinës me Danimarkën, Britaninë e Madhe dhe Italinë, për të këmbyer me klinikët e këtyre shteteve përvojat rreth trajtimit të rasteve të A H1N1.
(m.a/express/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›