E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv.presidenti i KE në Tiranë: Mbështetje për integrimin

TIRANE- Shqipëria dhe vendet e tjera të ish Jugosllavisë meritojnë një hyrje të shpejtë në Bashkimin Europian. Kështu ka deklaruar zv.presidenti i Komisionit Europian dhe komisioneri i transportit Antonio Tajani i cili ka vizituar sot Shqipërinë. Në një takim me të rinjtë e formueve të partive politike europiane ku ka qenë e pranishme edhe kryeparlamentarja Topalli, Tajani ka thënë se politika e zgjerimit të Bashkimit Europian nuk duhet të quhet e tillë. Ajo duhet të quhet politika e ribashkimit, pasi nuk është faji i vendeve si Shqipëria apo shteteve të tjera europiane të cilat vuajtën regjimet diktatoriale komuniste. Ai theksoi se njerëzit që jetojnë në Shqipëri janë europianë.
Tajani tha se Bashkimi Europian duhet ti ndihmojë këto vende të plotësojnë kriteret, ashtu sic u impenjuan për të integruar Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë etij , “pra tu jepet një dorë pasi nuk ishte faji i tyre që u vonuan, ata nuk kishin mundësi të integroheshin, pasi i pengoi diktatura kriminale që të ishin pjesë e Europës”.

Tajani është takuar gjithashtu me Kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Në këtë takim ai ka deklaruar që e rëndësishme është që opozita të rikthehet në kuvend, pasi aty është vendi ku zhvillohet debati politik. Gjithashtu Tajani ka përshëndetur dhe ligjin antimafia të cilin e ka quajtur të rëndësishëm, pasi në përgjithësi planveprimi kundër korrupsionit është i domosdoshëm.
Tajani i përket partisë Forza Italia të Silvio Berluskonit. Ai madje ka qenë një ndër themeluesit e kësaj partie. Ka qenë gazetar dhe reporter por që nga viti 1994 deri në 2008 ka qenë deputet i Parlamentit Europian ku ka shërbyer në komisione parlamentare të sektorëve të ndryshëm që nga peshkimi e deri tek politika e jashtme e Bashkimit Europian.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›