Kosovë, nga janari reduktohen trupat e KFOR
Nga janari i vitit të ardhshëm, në Kosovë do të qëndrojnë 10 mijë trupa të KFOR-it dhe do të mbyllen disa baza ushtarake. Lajmi është bërë i ditur në Prishtinë nga komandanti i forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali amerikan Mark Ficxherald. Ai e vlerësoi të qetë dhe të qëndrueshme gjendjen e sigurisë në Kosovë, ndërkaq përjashtoi çdo mundësi që ngritja e bazës ushtarake të Serbisë në afërsi të Bujanocit, të shihet si kërcënim për Kosovën. Pas një takimi që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjen. gjerman Markus Bentler, admirali Ficxherald tha se në Kosovë viti 2009 shënoi një vit të sfidës, por edhe të suksesit. Zyrtari i NATO-s theksoi se në Kosovë tashmë ka përparime të mëdha në fushën e sigurisë, kështu që nga fillimi i vitit 2010 do të ketë shkurtime të trupave të KFOR-it. Ngritjes së shkallës së sigurisë, sipas tij, i kanë kontribuuar edhe mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë në fushën e sigurisë. Lidhur me reduktimin e mëtejshëm të trupave ushtarake, Ficxherlad, tha se një gjë e tillë do të varet nga gjendja e sigurisë në terren dhe vlerësimet e Komandës së NATO-s, në Bruksel. Ndër të tjera admirali amerikan, vlerësoi se ngritja e bazës ushtarake të Serbisë afër Bujanocit, që ndodhet në kufi me Kosovën, nuk shkel marrëveshjen e Kumanovës dhe nuk paraqet kërcënim për Kosovën. Admirali amerikan u prit edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Temë qendrore e këtyre takimeve ishte ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e NATO-s. Km Hashim Thaçi tha se reduktimi i trupave të KFOR-it, është tregues për gjendjen e qëndrueshme dhe të paqtë në Kosovë. Nga ana tjetër, Fitxherald edhe njëherë konfirmoi mbështetjen e NATO-s për FSK-në. FSK-ja do të ketë një armatim të lehtë dhe do të ngritet nën mandatin e plotë të NATO-s. Aktualisht, kjo forcë ka mbi 1.500 pjesëtarë. Për kosovarët, FSK-ja paraqet bërthamën e ushtrisë së ardhshme të Kosovës.