E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove partite apel qeverise Jo terheqje nga veriu

Partitë kryesore politike në Kosovë kërkojnë nga policia e Kosovës dhe nga mekanizmat tjerë të sigurisë që të jenë më të pranishme në vendbanimet me popullatë të përzier në veri dhe në fshatrat e banuara me shqiptarë në këtë pjesë, për të ofruar siguri dhe mbështetje për banorët, të cilët kanë mbetur pothuajse të izoluar atje pas vendosjes së barrikadave nga strukturat paralele serbe. Partia më e madhe në vend, PDK që qeveris Kosovën, por edhe dy partitë e tjera opozitare LDK dhe AAK, kërkojnë nga Qeveria dhe institucionet e tjera që të mos tërhiqen me asnjë çmim nga veriu deri në shtrirjen e plotë të kontrollit në këtë pjesë.

“Veprimet e fundit  të Serbisë më së shumti do ta dëmtojnë popullin serb  dhe do t’i kushtoj me së shumti atyre. Ne si GP, por edhe si qytetarë të Kosovës kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës  që për asnjë çmim të mos tërhiqet nga veriu i Kosovës, që të ruaj tërësinë territoriale të Kosovës, të zbatoj kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës”- tha Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Tani është e domosdoshme që qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës të ketë një përkujdesje të veçantë për të gjithë popullatën që është në atë territor, konkretisht për popullatën jo serbe, që përfshinë shqiptaret, boshnjakët dhe të tjerët të cilët mund të kenë pengesa në zhvillimin e jetës normale. Qeveria nuk duhet të bëj vetëm deklaratë politike por duhet të ketë veprim konkrete  sidomos sa i përket aspektit të furnizimit, por pse jo  edhe  një përkujdesje më të veçantë”- tha Armend Zemaj, deputet nga LDK.

Kryetari i Komisioni parlamentar për siguri që vjen nga AAK, Ahmet Isufi kërkon vendosjen e postblloqeve policore në fshatrat dhe lagjet shqiptare dhe me popullsi të përzier në veri.

“ Është gjendje e rëndë për arsye se atje kemi  fshatra të cilat janë duke iu nënshtruar terrorit dhe bandave kriminale të cilat veprojnë atje. Është obligim i institucioneve  tona që të kenë një përkujdesje më të madhe. Ne  insistojmë që atje të vendosen  punkte policinë në mënyrë  që të ndihen të siguritë banorët, por po ashtu edhe kriminelëve të ju ndërpritet rruga të mos  veprojnë më”- tha Isufi.

Një javë pas vendosjes së policisë dhe doganierëve në pikat kufitare në veri, gjendja në këtë pjesë të vendit vazhdon të jetë e tensionuar. Serbët të cilët kanë bllokuar të gjitha rrugët në veri, duke lënë banorët e tjerë shqiptarë por edhe ata serbë, pothuaj të izoluar. Ata kanë tentuar dy herë të hapin rrugë alternative për të kaluar në Serbi, për të sfiduar kontrollet e rrepta të KFOR-it në pikat kufitare, por janë penguar nga paqeruajtësit e NATO-s. 

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›