Kosovë, rruga alternative në Jarinjë, ende e hapur

Policia e Kosovës ka deklaruar se rruga alternative e hapur nga serbët në pikën kufitare numër 1 në Jarinë, po përdoret për këmbësorë dhe makina të vogla.
Serbët kanë hapur pranë pikës kufitare që kontrollohet nga trupat e KFOR-it në veri të vendit, një rrugë alternative për të mundësuar qarkullimin për në Serbi. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti ka deklaruar se serbët janë përpjekur për rihapjen e rrugës së mbyllur nga trupat e KFOR-it.
“KFOR-i ka mbyllur njërin nga kalimet kufitare afër portës 1, por serbët kanë tentuar ta rihapin një pikë tjetër për kalim për makina të vogla dhe këmbësorë”, shprehet zëdhënësi. Ndërkaq, një ditë më parë zyrtarët e KFOR-it kanë thënë, se janë duke kërkuar zgjidhje për këtë problem. Situata e sigurisë në veri, sipas policisë, vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar.
Deri tashti nuk është hequr asnjëra nga bllokadat rrugore, të cilat janë vendosur në gjashtë pika të ndryshme duke pamundësuar, kështu, qarkullimin e automjeteve nga jugu në veri të vendit. Pas bllokimit të rrugëve në veri të Kosovës nga ana e serbëve lokalë, janë krijuar edhe probleme të mëdha për qarkullimin e banorëve që jetojnë në atë pjesë të vendit. Derisa përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se nuk ka kthim prapa nga situata e krijuar pas 25 korrikut, serbët thonë se janë të vendosur të mos heqin dorë nga barrikadat.