Kosovë, policia: Barrikadat, pengesë për lëvizjen e lirë

Zyrtarët e Policisë së Kosovës janë shprehur se situata e sigurisë së përgjithshme dhe liria e lëvizjes në veriun e Kosovës janë të paqëndrueshme, për shkak se rrugët që çojnë nga ana jugore e Mitrovicës drejt komunave në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të barrikaduara nga serbët lokalë. Zëdhënësi PK-së për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se përveç barrikadës në Jagnjenicë, e cila ishte larguar nga KFOR-i javë më parë, të tjerat vazhdojnë të qëndrojnë.“Barrikadat tjera vazhdojnë të jenë të pranishme në terren, e në veçanti ato të cilat i bllokojnë rrugët kryesore, përmes të cilave lidhen rrugët magjistrale në drejtim të veriut të Kosovës, si dhe kjo (barrikada) mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.
Të dyja situatat, çështja e lëvizjes së lirë, por edhe situata e sigurisë së përgjithshme, janë situata të luhatshme, varësisht nga rrethanat, të cilat paraqiten në terren”, është shprehur Hoti duke shtuar se pranë disa barrikadave qëndrojnë grupe të caktuara të serbëve, për të cilat besohet se janë të koordinuara me strukturat ilegale në veri të vendit. Ndërkaq, Shef i zyrës për informim në KFOR , Uëe Noëitzki, e ka përshkruar situatën e qetë në veri të Kosovës. Ai nuk ka dhënë hollësi nëse KFOR-i planifikon ndonjë aksion për largimin e barrikadave.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, në vazhdimësi kanë theksuar se serbët lokalë do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë barrikadave, për ta kundërshtuar, siç thonë ata, instalimin e shtetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit. Ai thekson se pranë shumicës së barrikadave, që sipas tij janë rreth 14, serbët lokalë kanë organizuar jetën dhe qëndrimin e tyre, duke llogaritur, siç thotë ai, se kjo situatë mund të zgjasë gjatë tërë dimrit.
Ai gjithashtu thekson se serbët lokalë janë të vendosur që të qëndrojnë pranë barrikadave, siç tha ai, për sa kohë të jetë e nevojshme dhe se nuk do t`i pranojnë e as respektojnë marrëveshjet që kanë dalë si rezultat i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.