E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, qeveria miraton pr/buxhetin prej 1 miliard e 430 milionë euro

Prishtinë (start)- Me një vendim unanim të ministrave, Qeveria e Kosovës miratoi të hënën projekt-buxhetin e Kosovës për vitin 2009, në shumën prej 1 miliard e 430 milionë euro, i cili është për 15.4 për qind më i madh se buxheti i këtij viti. Menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ia dërgoi projekt-buxhetin Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Kryeministri Thaçi, miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm e vlerësoi historik për Kosovën, sepse siç tha ai, është hera e parë që Qeveria e Kosovës pas pavarësisë, harton buxhetin e vet kombëtar në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Me këtë plan të ri shpenzimesh ne e nisim Kosovën e re, shtetin e ri me një mision të rritjes dhe zhvillimit”, tha fillimisht Hashim Thaçi duke përmend tri shtyllat bazike të plan-buxhetit: përmirësimin e cilësisë së jetës; qëndrueshmërinë ekonomike dhe përshpejtimin për hyrje në institucionet financiare ndërkombëtare.

Qeveria, siç tha Thaçi, është konsultuar me gjitha akterët vendorë e ndërkombëtarë, përfshirë edhe shoqërinë civile, për të siguruar se buxheti, sipas tij, konsiston me nevojat dhe mundësitë reale të Kosovës, duke e vënë këtë të fundit në rrugë të drejtë, për t’u ballafaquar me të sotmen dhe të ardhmen.

“Kam besim se Kuvendi dhe qytetarët do të kuptojnë se ky buxhet është ai për të cilin Kosova ka nevojë dhe mundësi, derisa përgatit vetën për rritjen ekonomike që meritojmë dhe shpresojmë se do ta shohim gjatë viteve të ardhshme”, tha Thaçi.

Ai paralajmëroi se viti 2009 është i fundit në të cilën Qeveria e Kosovës ndanë buxhet për sektorin e energjetikës.

“Infrastruktura jonë e penguar e energjisë, e shkatërruar nga vitet e keqmenxhimit dhe lënies pas dore, kërkon që këtë vit të investojmë më shumë se 100 milionë euro për të garantuar rrymë të mjaftueshme për familjet tona dhe biznesin në Kosovë. Ndërsa vitin e ardhshëm do të privatizojmë prodhimin dhe distribuimin e rrymës”, tha kryeministri.

Sipas Thaçit, janë shqyrtuar të gjitha elementet e shpenzimeve brenda këtij buxheti dhe ky plan, sipas tij, paraqet atë që Kosova mund t’i lejojë vetës të shpenzojë brenda një viti.

“Derisa deputetët shqyrtojnë buxhetin gjatë ditëve të ardhshme, i inkurajojmë të gjithë ata që këtë plan të shpenzimeve ta kuptojnë në vështrim kah e ardhmja, ashtu siç bëmë ne kur e kemi përgatitur projektbuxhetin”, u shpreh shefi kosovar i ekzekutivit.

Me këtë rast, ai i garantoi qytetarët se do të ketë shpenzim transparent, llogaridhënie në përputhje me ligjin dhe çdo keqpërdorim, sipas tij, do të ndëshkohet me ligji.

“Menaxhimi i mirë i këtij buxheti do të krijojë perspektivë më të madhe të zhvillimit ekonomik, ndërtimit të një Kosove moderne, të hapjes së perspektivës për integrim në strukturat e BE dhe në NATO”, tha në fund kryeministri.

Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dha disa parametra të lëvizjeve buxhetore dhe ndryshimet nga buxheti i vitit të kaluar. Ai tha se në hartimin e këtij projekt-buxheti, Qeveria e Kosovës ka marrë rekomandimet edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

“Buxheti si tërësi ofron shumën e përgjithshme të shpenzimeve publike prej 1.1 miliard euro që është 26 për qind e bruto produktit vendor. Kjo është një shifër e konsiderueshme. Ky buxhet siguron stimulimin fiskal për një rritje të projektuar prej mbi 6 për qind gjatë vitit 2009 dhe kjo është platforma e jonë e parë për zhvillimin ekonomik”, tha ministri Shala.

Sipas tij, janë planifikuar të jenë 413 milionë euro për shpenzime kapitale që i përshtatet prioriteteve të Qeverisë. Nga kjo shumë, sipas tij, 103 milionë euro janë të ndarë për infrastrukturën rrugore, 37 milionë euro për arsim, 12.5 milionë euro për shëndetësi dhe pjesa tjetër për sektorët e tjerë.

Ministri Shala përmendi disa parametra të ngritjes, përkatësisht zbritjes së buxhetit për vitin e ardhshëm. Në sektorin social, ku pakënaqësitë kanë qenë më të theksuara ka një rritje prej 12.5 për qind. Kjo ngritje do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, 11.3 milionë euro.

“Në funksion të racionalizimit të shpenzimeve operative, karshi vitit 2008, kemi planifikuar ndarje më të vogla buxhetore për Presidencën dhe Kuvendin e Kosovës, prej 4 për qind, për Kryeministrinë 20 për qind, ndërsa kemi zvogëluar rezervën e MEF-it nga 6 në 5 milionë”, tha Shala.

Po ashtu, sipas tij, ka zvogëlim të shpenzimeve për pushtetin qendror 15 për qind dhe për nivelin lokal 10 për qind.

“Në Ministrinë e Shërbimeve Publike kemi një rritje 40 për qind krahasuar me 2008, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kemi rritje prej 40 për qind, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë 60 për qind, në Ministrinë e Shëndetësisë 15 për qind, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 17 për qind, në Ministrinë e Pushtetit Lokal ka rritje për 122 për qind…”etj, tha ministri Shala, dhe shtoi se 200 milionë € janë lënë në fondin rezervë, në rast të ndonjë tronditje të mundshme ekonomike.

///Veton Rugova-start///

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›