E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, rifillon puna në Gjykatën e Mitrovicës. Asnjë incident

 

MITROVICE-Në veri të Mitrovicës është ripahur sot gjykata. Ajo do të udhëhiqet nga stafi ndërkombëtar i UNMIK-ut, përfshirë dy gjykatës, dy prokurorë dhe personel tjetër administrativ.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë, që nga data 3 tetor, do të merren vetëm me shqyrtimin e rasteve urgjente.

"Do të jenë dy gjykatës dhe dy prokurorë ndërkombëtarë dhe rreth 12 oficerë dhe asistentë gjyqësorë e të tjerë. Këta do të merren kryesisht me rastet urgjente kriminale, por nuk do të merren me raste civile", shpjegon Ivanko.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier e vlerësoi si hap të parë drejt sundimit të ligjit për të gjithë në Kosovë, rihapjen e gjykatës në veri të Mitrovicës. Ai shprehu kënaqësinë që "Beogradi dhe Prishtina kanë ndihmuar këtë zhvillim pragmatik".

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës rifilloi punë, pas një ndërprerjeje më se 6 muaj, e cila kishte ardhur si pasojë e uzurpimit të objektit të gjykatës nga protestues serbë.
Kthimi në punë i punonjësve ndërkombëtarë të drejtësisë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri kishte nxitur reagime te gjykatësit vendorë, të cilët kërkuan që sa më parë të kthehen në vendet e tyre të punës në po këtë institucion.

Lidhur me këtë, Ivanko thotë se UNMIK është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën e Beogradin për të rikthyer, pas një periudhe të planifikuar 2 mujore, edhe gjykatësit serbë si dhe kosovarë në punë.

"Plani është se për 60 ditët e para në gjykata në veri të punojnë vetëm gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe aktualisht jemi duke diskutuar me Prishtinën dhe Beogradin se kur mund t'i kthejmë dhe gjykatësit vendorë", tha Ivanko.

Në ditën e rifunksionalizimt të Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale, Policia e Kosovës shtoi masat e sigurisë, kryesisht rreth objektit të gjykatave.

Me gjithë tensionet që akoma ekzistojnë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, situata e sigurisë vlerësohet të jetë e qetë dhe stabile. Zëdhënësi i policisë së Kosovës Besim Hoti thotë se nuk ka pasur asnjë incident, i cili mund të lidhej me rifillimin e punës së gjykatës.

"Momentalisht nuk ka ndonjë incident, ndërsa disa nga prokurorët ndërkombëtarë janë paraqitur, edhe pse hapja e kësaj gjykate nuk është bërë me një ceremoni të pritur ndoshta, por është thjesht një ditë e zakonshme e punës", u shpreh Hoti.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të këtij viti kishte shkaktuar një valë protestash të serbëve kosovarë, të cilët kundërshtonin ashpër krijimin e shtetit të Kosovës. Në kuadër të këtyre protestave u përfshi edhe Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës, që pas uzurpimit nga serbët dhe për shkaqe sigurie, u detyruan t'i ndërpresin punët. Që nga 20 shkurti i këtij viti, stafi lokal i gjykatës ishte zhvendosur në qytetin e Vushtrrisë, ku merrej vetëm me raste urgjente.

Gjatë ditës së djeshme serbët e Kosvës zhvilluan një protestë kundër hapjes së gjykatës si dhe kundër vendosjes së EULEX në këtë zonë  

(s.g/Europa e lire/ BalkanWeb)



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›