E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, rrëzohet kërkesa e opozitës kundër bisedimeve me Serbinë

PRISHTINE - Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë dhe nuk ka kthim prapa. Kështu konstatuan në një seancë të jashtëzakonshme deputetët e Kuvendit të Kosovës të partive në pushtet, duke hedhur poshtë kërkesën e opozitës. Qeveria e Kosovës tha sot se bisedimet me Serbinë nuk janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, duke hedhur poshtë kështu kërkesat e opozitës për ndërprerjen e bisedave aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Opozita kërkoi që të hartohet një platformë e re për biseda dhe kjo platformë të ratifikohet në parlament dhe pastaj të rifillojnë bisedimet me Serbinë. Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së, iniciues i seancës së jashtëzakonshme, - tha se marrëveshjet e arritura me Serbinë janë të dëmshme dhe kthim prapa për Kosovën. Sipas tij, vetëm Serbia po përfiton nga ky dialog. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se dialogu me Serbinë është obligim ndërkombëtar i qeverisë dhe parlamentit dhe ky dialog sipas tij, është një vlerë që Kosova duhet ta përqafojë dhe nuk ka kthim prapa. "Kërkesa për pezullim të dialogut si vlerë edhe e popullit të Kosovës dhe vlerë e vendeve euro-atlantike, është kërkesë për izolim ndërkombëtar të Kosovës, është kërkesë për konfrontim me Bashkimin Evropian dhe SHBA-së", - tha kryeministri Thaçi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›