E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëshirë për qentë

Komuna e Prishtinës vendosi të enjten që qentë endacakë në kryeqytet të mos vriten, por të sterilizohen. Në këtë mënyrë u tha se po përmbushet edhe një standard në rrugën drejt Evropës. Vendimi u mirëprit nga shoqatat për mbrojtjen e kafshëve. Nga Lirita Halili më 15 korrik 2011 në ora 08:26

Reagimet e shumta adresuar Komunës së Prishtinës, rreth formës se si deri më tash bënte zhdukjen e qenve endacakë, kanë arritur efektin.

Pas shqyrtimit me kujdes të standardeve evropiane për mbrojtjen dhe trajtimin e kafshëve dhe në përputhje me ligjin për trajtimin e kafshëve, Komuna ka marrë një vendim – ka vendosur të shpall tender për kastrimin dhe sterilizimin e qenve endacakë dhe njëkohësisht ka pezulluar kontratën me kompaninë “Hortikultura”, për eliminimin fizik të tyre.

“Tani e tutje janë krijuar kushtet që të humanizohet ky lloj shërbimi nëpërmjet
sterilizimit, që nënkupton se me këtë formë pengohet shumëzimi i pakontrolluar i
qenve endacakë, si formë e lejuar dhe e pranuar me të gjitha standardet ligjore
evropiane”, thuhet në një njoftim të Komunës.

Ky projekt do t’i kushtojë shumëfish më shumë autoriteteve komunale, por pavarësisht kësaj, ata janë të bindur ta realizojnë, duke përmbushur edhe një standard shtesë të kërkuar me normativat përkatëse.

Pavarësisht faktit se deri para një muaji vetë Komuna pat zgjedhur metodën e zhdukjes për qentë, duke i vrarë, me të marrë vendimin për sterilizim ajo ka marrë guximin të bëjë edhe një apel për komunat e tjera.

“Është shumë e domosdoshme që edhe komunat tjera të punojnë në këtë drejtim, sepse trajtimi i pjesshëm i qenve endacakë nuk mund ta pengojë shtimin e pakontrolluar të qenve, ndërsa veprimet e organizuara në të njëjtën kohë me të njëjtin qëllim, do të japin efektin e dëshiruar”, thuhet në komunikatë.

Më i kënaquri rreth këtij vendimi të Komunës duket se është Florim Ferati, udhëheqës i qendrës kosovare për strehimin dhe trajnimin e qenve endacakë. Ai thotë se ka luftuar shumë dhe ka kërkuar shumë herë takime me krerët e Komunës, për t’i bindur se ka një zgjidhje për qentë. “Më vjen shumë mirë për vendimin, edhe pse pak i vonuar”, tha ai për Express.

Sipas Feratit, insistimi i shoqatës së udhëhequr nga ai, për mosvrasjen e qenve, nuk është bërë për kurrfarë përfitimi material. “Qëllimi ynë ka qenë sterilizimi dhe vaksinimi i kafshëve, siç ndodh në gjithë botën. Kjo është e vetmja zgjidhje për ta treguar humanitetin ndaj kafshëve dhe për ta falë një jetë”.

Ferati tregon se ka ndodhur shpesh që disa nga qentë, gjatë aksionit mbesin të plagosur, duke përbërë kështu një rrezik shumë të madh për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme. “Andaj, mënyra e vetme, më e mira, është sterilizimi, vaksinimi dhe etiketimi i qenve me vath në vesh. Këta qen më nuk janë të rrezikshëm për njerëzit”.

Ferati e ka ndërmend që të konkurrojë në tenderin e Komunës me një çmim tejet të ulët.
“Çmimi më i lirë që mund të kushtojë rreth kujdesit për një qen është 37 euro. Unë do të konkurroj me këtë shumë vetëm që kjo çështje të mos nxisë reagime më tek shtetet e tjera”, thotë ai.

Komuna e Prishtinës kishte zgjedhur që eliminimin e qenve endacakë ta bëjë në mënyrën më makabre, duke i vrarë. Për këtë çështje patën reaguar shumë organizata për mbrojtjen e kafshëve. Madje në kohën kur kryetar i Komunës ishte Ismet Beqiri, rreth metodës së eliminimit të qenve pat shprehur shqetësime edhe Brigitte Bardot, drejtoreshë e Fondacionit për Mbrojtjen e Kafshëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›