S’ndalet dialogu
Kërkesa e opozitës për t`i stopuar bisedimet Kosovë - Serbi dhe për t`i hedhur poshtë tri marrëveshjet e para të njohura si Konkluzionet e Cooperit nuk është aprovuar në Kuvendin e Kosovës.
Rezultate e votimit në fund të seancës së jashtëzakonshme kanë qenë në favor të vazhdimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.
Kështu, nga 85 deputetë të pranishëm në seancë, 46 kanë votuar kundër nismës së opozitës, 37 kanë qenë pro dhe 2 kanë abstenuar.
Më këtë rast opozita e ka humbur rastin për t`iu dhënë fund bisedimeve, pasi nuk i ka shfrytëzuar numrat në Kuvendin e Kosovës.
Tri partitë opozitare që bashkërisht kanë kërkuar seancën i kanë 53 deputetë, ndërkaq kanë shpresuar se do të mbështetën edhe nga ndonjë deputet i partive në pushtet.
Ndryshe, në seancën e jashtëzakonshme deputetët pozitës dhe opozitës janë përplasur ndërmjet veti rreth gjashtë orë dhe kanë vazhduar të japin vlerësime krejt të ndryshme sa i përket dialogut me Serbinë.
Seanca ka filluar pa praninë e kabinetit qeveritar. Kryeministri Hashim Thaçi dhe disa deputetë të tij kanë ardhur 15 minuta pas fillimit të mbledhjes. Më vonë në seancë është paraqitur edhe kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila sapo ishte kthyer nga vizita në Londër.
Megjithëkëtë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri ka prezantuar qëndrimin e LDK’së por edhe të partive opozitare. Ai kërkoi që Kuvendi të votojë për pezullim të bisedimeve dhe t’i shpallën të papranueshme tri konkluzionet e Cooperit.
“Rekomandimi është ky: Kuvendi i Republikës se Kosovës te marre vendim për pezullimin e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe te mos pranohen tri te ashtuquajturat Konkluza, si obligative për Kosovën. Pra, kërkojmë qe ky Rekomandim te hedhet ne votim”, ka deklaruar Beqiri në emër të LDK’së, Vetëvendosjes dhe AAK’së.
Ndaj kësaj kërkese ka reaguar Kryeministri Thaçi. Ai ka thënë se ideja e opozitës është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare dhe konfrontim me SHBA’të dhe BE’në.
“Kërkesa për pezullim të dialogut si vlerë e popullit tonë dhe vlerë euro-atlantike, është kërkesë për izolim ndërkombëtar të Kosovës, është kërkesë për konfrontim me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe Serbia do të ketë perspektivë evropiane, por asaj i është bërë e qartë se nuk mund ta pengojë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, nuk do të ketë kurrfarë vetoje dhe nuk do të bëhet kurrë anëtare e BE-së pa e pranuar pavarësinë e Kosovës”, është përgjigjur Thaçi.
Deputetët e opozitës kanë vazhduar të japin vlerësime negative sa i përket Konkluzioneve të arritura në Bruksel, derisa Kryeministri Hashim Thaçi i ka cilësuar të suksesshme dhe si dobiprurëse për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ardin Gjini ka dhënë vlerësimet e AAK’së për bisedimet.
“Ne mendojmë se bisedimet janë e vetmja rrugë për t’i zgjidhur dilemat edhe kontradiktat, marrëdhëniet ndërkombëtare, mirëpo Kosova ka shkuar jashtëzakonisht e papërgatitur në këto bisedime, Kosova ka shkuar në një pozitë shumë inferiore, kur nga e gjithë bota akuzohemi për korrupsion, për mbytje të fjalës së lirë, për shkatërrim të sistemit ekonomik të vendit, të administratës e mos t’i përmendi të gjitha të tjerat më radhë. Ky është pozicioni që e ka AAK-ja”, ka thënë Gjini.
Visar Ymeri në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, ka përsëritur kushtet për Serbinë, pa plotësimin e të cilave, sipas tij, nuk duhet të ketë bisedime.
“Pezullimi i këtyre negociatave është i domosdoshme, deri në plotësimin e kushteve nga ana e Serbisë. Kushti kryesor është njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia dhe ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë që e paracakton Kosovën si pjesë të saj. Kuvendi duhet të jetë garant i kushtetutshmërisë, sovranitetit, rendit republikan dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Ymeri.
Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabofci ka kundërshtuar opozitën. Ai tha se partia më e madhe do të ketë edhe më tej besim dhe ta mbështesë delegacionin e Kosovës në këto bisedime.
Sipas vlerësimeve të Grabofcit, Serbia ka bërë hapat e parë në drejtim të njohjes së Kosovës.
“Që sot mund të konkludojmë se këto janë konkluza që njohin de-fakto pavarësinë e Kosovës. Partneriteti me miqtë na duhet sot, po aq sa na është dashur gjatë rrugëtimit tonë për krijimin e shtetit. Nuk kemi dyshim në miqtë tanë, sepse sot e gjithmonë do të kemi nevojë për miqësi. Nëse dikush këtu mendon se Kosova nuk ka nevojë për miq, sidomos për ata që bënë shumë për shtetin e ri të Kosovës, e ka shumë gabim”, ka thënë Grabovci.
Ashpër kanë polemizuar edhe Kryeministri Thaçi dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Ju mendoni se jeni pronarë të patriotizmit. E mbani shqiponjën në gjyks. Nuk ka nevojë ta mbani aty. Pse po i digjni simbolet e Kosovës, pse po i sulmoni institucionet e Kosovës? Unë edukatë nuk mund t’ju jap, por leksione politike po. “, ka thënë Thaçi
Pas kësaj në foltore doli Kurti.
“Nuk mund të japë edukatë, dikush që nuk ka fare. Niveli i kulturës tënde është dëshpërues e për keqardhje”, ka thënë ai.
“Ismeti ndihmoi PDK’në”
Edhe në seancën e djeshme Kryeministri Hashim Thaçi ka polemizuar me Shefin e Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri.
E gjitha nisi kur Beqiri lexoi një letër me qëndrimet e LDK’së, por edhe dy partive tjera opozitare, për pezullimin e dialogut dhe mospranimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Beqiri iu desh t’i huazojë pesë minuta nga deputeti Eqrem Kryeziu për të lexuar deri në fund deklaratën në Parlament.
Sapo e mori fjalën, Kryeministri Thaçi iu drejtua Beqirit.
“Mire ta kishin shkru fjalimin, mire e lexove kësaj here, por minutat qe t’i dha Eqremi, nuk janë edhe mend”.
Shefi i deputetëve të LDK’së reagoi duke e quajtur Thaçin “provokator që dëshiron të ikë nga tema e seancës”.
Por, polemika mes tyre nuk përfundoi me kaq. Kryeministri tha se në prag të zgjedhjeve lokale dhe nacionale në vitin 2007, i kishte thënë Ismet Beqirit se LDK nuk do ta kandidonte më për kryetar të Prishtinës.
Në këto zgjedhje, kjo parti pati kandiduar për herë të parë Isa Mustafën e jo Beqirin që kishte drejtuar kryeqytetin pesë vjet.
Për më tepër, Thaçi tha se Beqiri gjatë fushatën elektorale në vitin 2007 e kishte ndihmuar PDK’në.
“Ju e dini që realisht keni zhvilluar një fushatë aktive për PDK-në. Është mirë që LDK është e hapur dhe je rikthyer, por ke zhvilluar një fushatë aktive dhe dinamike dhe për këtë të falënderoj publikisht”, i është drejtuar Thaçi.
Ismet Beqiri u kundërpërgjigj se Kryeministri “është një super-provokator dhe kurrë nuk do t’i fitojë zgjedhjet në Prishtinë”.