Rrugës së dyshimeve
Dokumentari i titulluar “Tregtia e përgjakshme”, i televizionit gjerman ZDF, nis me Olgica Kostic, serbe nga Kosova që jeton në Serbi. Ajo thotë të ketë dëgjuar se vëllai i saj, tashmë i vrarë, si rob është dërguar diku në Shqipëri.
Ajo ka arritur që disa eshtra të tij t’i gjejë dhe t’i varrosë, ndërkohë që misteri në lidhje me këtë çështje vazhdon për shumë serbë të tjerë.
Dokumentari vazhdon në Bundestagun gjerman, ku zyrtarja Sevim Dagdelen thotë se hetimi i një çështjeje të tillë u përket autoriteteve të Kosovës.
”Sa i përket trafikimit të organeve ne nuk mund të themi asgjë konkrete, sepse kjo është një çështje e brendshme e Kosovës”, thotë ajo, duke sqaruar se forcat gjermane të ushtrisë kanë dymbëdhjetë vjet që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
Duke cituar një raport të Kombeve të Bashkuara të vitit 2003, dokumentari thekson dyshimet se personat janë vendosur në kamionë dhe janë transportuar nga Kosova drejt veriut të Shqipërisë.
Pasi zhvendoset në Beograd, në dokumentar shfaqet Bruno Vekaric, zëvendësprokuror i Prokurorisë për Krime Lufte, i cili deklaron të jetë i bindur se është kryer trafikim me organe njerëzore.
“Ata janë rrahur dhe më pas u janë marrë organet. Me kamionë, natën ata janë transportuar duke kaluar kufirin dhe janë dërguar në Shqipëri, të cilët më vonë kanë vdekur. Ka shumë persona që u janë dashur ato organe”, thotë Vekaric.
Në këtë rast, ZDF ngre pyetjen nëse kjo është një propagandë e Serbisë, që me këtë çështje të përpiqet t’i vë nën hije krimet që i ka kryer në Kosovë.
Duke shikuar në raportin e Kombeve të Bashkuara, gazetarët gjejnë emrin e vëllait të Olgica Kosticit, e cila deklaron se nuk e di pse familjari i saj është marrë nga UÇK-ja, pse është vrarë, si është vrarë dhe përse trupi i tij është gjetur në varr masiv.
Por për tërë këtë, ajo ka një adresë të ankesës.
“Fqinjët tanë shqiptarë e dinë përgjigjen. Fqinji ynë ishte komandant i UÇK-së në Rahovec”, thotë Olgica për ZDF.
Frika nga fjalët
Ndërkohë, dokumentari zhvendoset në Kosovë, në Rahovec, në lagjen ku përpara ka jetuar familja Kostic dhe ku shfaqet një nga fqinjët e tyre.
Hamza, një i moshuar, pasi tregon shtëpitë e rrënuara të serbëve që kanë mbetur ashtu që nga lufta, thotë se ai nuk di gjë për këtë çështje.
Ai deklaron se edhe vetë ka qenë i zhvendosur gjatë luftës. “Për Zotin nuk dimë gjë. Ne pas luftës i kemi lejuar Kosticët të vijnë. Në luftë kemi ikur para tyre, kur jemi kthyer të gjitha shtëpitë i kemi gjetur të rrënuara, si tonat, ashtu edhe të tyre”, thotë Hamza.
Duke u bazuar në dëshmitë e disa personave, të cilët nuk tregojnë identitetin dhe të njëjtit janë xhiruar me kamerë të fshehur nga gazetarët gjermanë, vëllai i Olgicës dyshohet se është parë për herë të fundit i gjallë së bashku me një grup tjetër personash, rreth 20 kilometra larg shtëpisë së tij.
Derisa njëri prej personave u sugjeron gazetarëve që të mos bëjnë pyetje të tilla, sepse është e rrezikshme, dokumentari zhvendoset me pamje në Prishtinë, duke ndjekur vendet, ashtu siç janë përshkruar në raportin e vitit 2003 të Kombeve të Bashkuara.
Gazetari lexon pjesë të këtij dokumenti, ku një ish pjesëtar i UÇK-së kishte shprehur dyshime, kur komandanti i kishte thënë që serbët e zënë rob, e që ishin në një kamion, të mos rriheshin.
Sipas tij, kjo ishte e çuditshme, ngase deri atëherë ata që i kishin zënë rob i kishin rrahur, madje ua kishin thyer edhe duart.
Për këtë arsye, gazetarët gjermanë takojnë ish-komandantin e asaj kohe të UÇK-së, Ismet Tara, të cilin e shfaqin në një fotografi së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi.
Tara mohon që në atë kohë ka mundur të kryhet trafikim organesh. “Këto gjëra vetëm mund të shihen ëndërr. Edhe tash, 12 vjet pas lufte, spitalet dhe mjekët tanë nuk janë në gjendje të kryejnë transplantim organesh”, thotë ai.
Tara mohon edhe dyshimet se në atë kohë ka pasur mundësi të ketë burgje sekrete të UÇK-së. “Burgje s’ka pasur kërkund në Kosovë, as gjatë kohës së luftimeve. Nuk kishte vend të lirë e të sigurt as për ne ushtarët e UÇK-së, e lëre më burgje”.
Dyshime dhe dyshime
Gazetarët hedhin dyshime nëse të gjitha janë thjesht gënjeshtra. Në ndjekje të gjurmëve, ata kthehen drejt Serbisë, në Kraljevë, ku pas luftës ishin zhvendosur shumë serbë të Kosovës.
Brankica Antic është njëra prej tyre, bashkëshorti i së cilës është zhdukur në qershor 1999 nga shtëpia e tij në Prizren.
“Vetëm një herë kam marrë një telefonatë nga një i panjohur nga Mali i Zi, i cili më ka thënë se burri im ishte marrë nga UÇK-ja në Prizren. Ky person ma përshkroi burrin tim Zlatkon ashtu siç ishte, i sëmurë. Nuk e di pse e kanë marrë, kur ai ishte i pafajshëm. Nga ajo ditë kurrë nuk kemi dëgjuar më për të dhe nuk dimë çfarë ka ndodhur”.
Brankica ua përshkruan gazetarëve vendin ku dyshohej se ishte burgu i UÇK-së në Prizren dhe ku për herë të fundit ishte parë i shoqi. Në ndjekje të këtyre gjurmëve, gazetarët vizitojnë këtë vend, një ndërtesë e braktisur që dikur ishte konvikt nxënësish.
Ata arrijnë të gjejnë një dëshmitare, që beson se e ka parë Zlatkon, por ajo hesht, sepse ka frikë për jetën e saj. “E di se kjo është e rëndësishme për Anticët, por kuptoni, unë nuk mund të them asgjë. Unë duhet të jetoj në Kosovë dhe jam gjysmë serbe”, thotë ajo, duke mos iu treguar fytyra në ekran.
Duke kërkuar sqarime nga zyrtarët e rendit dhe ligjit në lidhje me këtë çështje, gazetarët kontaktojnë zëdhënësin e EULEX’it, Hans-Christian Klasing.
Pasi shpjegon rastin për dyshimet që ekzistojnë se si ish-UÇK-ja serbët e zënë rob i ka transportuar në veri të Shqipërisë, duke ua marrë organet që u janë shitur, zyrtari i EULEX-it pranon se ky është një rast i vështirë krimesh lufte.
Shtëpia e Verdhë
Më tej, vëmendja kalon në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri në Morinë, ku në vitin 1999 ishin të vendosur ushtarët gjermanë të KFOR-it, prej nga dyshohet se serbët janë transportuar drejt Shqipërisë.
Peter Mattheisen, atashe ushtarak i Gjermanisë për Ballkanin, duke shfaqur pamje të pikës kufitare Kosovë-Shqipëri, e cila dukej në situatë shumë kaotike, tregon se kontrollet kanë qenë të vështira të kryhen nga ushtarët për shkak të numrit jo të madh dhe kohës kur refugjatët ktheheshin, e të tjerë dilnin.
“Në këtë mënyrë, UÇK-ja ka vazhduar rrugën drejt Kukësit”, thuhet në dokumentar, i cili shfaq një fabrikë të vjetër metali, tashmë të shkatërruar, që dyshohet të ketë qenë burg.
Derisa lexojnë raportin e vitit 2003 të Kombeve të Bashkuara, gazetarët gjermanë tregojnë se “pasi serbëve të zënë rob u janë marrë organet, ato janë transportuar drejt Shqipërisë qendrore”.
Adresa ishte te e ashtuquajtura Shtëpia e Verdhë në Burrel. Në ekran shfaqen fotografi të hetuesve të Kombeve të Bashkuara të vitit 2003, si dhe shihen shiringa, letra e infuzione që dyshohet se janë përdorur për operime.
Por, këto dyshime i kanë mohuar banorët e kësaj shtëpie. Mersin Katuci, i zoti i shtëpisë, shpjegon se ato janë shiringa që i janë nevojitur atij dhe familjes së tij.
“Ne nuk mund të bëjmë këtu transplante. Shiringat i përdorim për të ftohur, për reumë. Ja shiko, unë edhe tash kam gjëra të tilla dhe mbeturinat i hedhim këtu afër”, thotë Mersini, duke u treguar gazetarëve një grusht me ilaçe që i përdor edhe sot.
“Këto që i kam në dorë, i përdorim për kafshë e shpezë”, thotë Mersini, ndërkohë që gazetarët krahasojnë ilaçet e tashme me ato që kanë gjetur hetuesit e Kombeve të Bashkuara e që, sipas tyre, janë të njëjta.
“Këtë e kanë bërë agjentët serbë. Ata duan të na fajësojnë se ne i kemi bërë këto gjëra”, thotë Mersini, fjalët e të cilit përplasen me përshkrimin e Jose Pablo-Baraybar, ish-hetues i UNMIK-ut në Kosovë.
Ai përshkruan se çfarë kanë gjetur në njërën nga dhomat e Shtëpisë së Verdhë, ku pas analizave ka rezultuar se gjurmë gjaku të njëjta janë gjetur në një tavolinë, ashtu si edhe në disa pjesë të murit.
“Shpjegimi i familjarëve ishte se aty kanë prerë kafshë gjatë dimrit, pastaj se gruaja ka kryer punë dhe ka pastruar vendin. Ishin disa shpjegime të çmendura”, thotë Baraybar, duke hedhur dyshime se gjëra të tilla mund të jenë kryer në Fushë Krujë, afër Tiranës, si stacioni i fundit i vdekjes.
Në raportin e OKB-së të vitit 2003 thuhet se në Fushë Krujë, para operimit, dyshohet se janë sjellë të burgosurit. Aty u janë marrë organet dhe pastaj janë vrarë. Organet më vonë janë transportuar nga Aeroporti i Tiranës drejt Stambollit.
“Një person i ka transportuar organet në aeroport. Ata që punonin aty, me disa para, mbyllnin sytë dhe organet fluturonin drejt Stambollit”, thuhet në raport.
Thaçi e Marty
Meqë gjurmët përfundojnë në Aeroportin e Tiranës, por kërkimet vazhdojnë në Stamboll, në dokumentar shfaqet Bernard Kouchner, ish-shef i UNMIK-ut, i cili gjatë vizitës së tij në Kosovë para disa muajsh, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, kishte qeshur me të madhe kur nga një gazetar serb në Graçanicë ishte pyetur për këtë çështje.
“Trafikim organesh? Jeni gjë i sëmurë apo çfarë?! Nuk ka shtëpi të tillë dhe nuk ka kurrfarë trafikimi organesh”, kishte thënë Kouchner, ndërkohë që dokumentari rikujton se në atë kohë shef i UÇK-së ishte Hashim Thaçi.
Në një raport të Shërbimit Sekret Gjerman-BND, pjesë të të cilit lexohen në dokumentar, thuhet se “Thaçi kontrollon një rrjet aktiv kriminal në tërë Kosovën, që në atë kohë vepronte brenda UÇK-së, e që mision special kishte përndjekjen e serbëve”.
”Nuk duhet harruar se deri në vitin 1998 UÇK-ja ishte grup terrorist për Washingtonin dhe kryeqytetet e tjera të botës, kurse nga Interpoli konsiderohej organizatë kriminale. Por, papritur, ata u shndërruan në aleatë. Pse? Sepse pas bombardimeve, NATO’s i duhej një aleat në terren, që të kishte prani më të fortë atje dhe kjo ishte UÇK”, thotë Dick Marty.
Duke iu referuar Martyt, rrëfimi vazhdon se si NATO bombardonte ushtrinë serbe, ndërkohë që Kosovën ia linte UÇK-së. “Sikur të dilni në atë kohë dokumentet e OKB-së për këtë çështje, do të ishte një bombë e vërtetë dhe për këtë arsye ata nuk kanë bërë asgjë. Thjesht i kanë vendosur në sirtar si disa letra, ashtu siç kanë lënë edhe shumë të tjera. Ky është skandali më i madh”, thotë Dick Marty.
Dokumentari i referohet profesoreshës Nency Scheper-Hughes nga Universiteti Berkeley në SHBA, e cila deklaron se Yousuf Sonmez, kirurg turk, është i përfshirë në trafikim ilegal organesh në Kosovë.
Për këtë arsye, gazetarët vizitojnë klinikën e mbyllur “Medicus” në Prishtinë, e financuar nga një mjek gjerman. Ata i kanë ofruar mundësinë të deklarohet edhe mjekut turk, Sonmez, por ai ka kërkuar 100 mijë euro.
Zëdhënësi i EULEX-it, Hans-Christian Klasing, thotë se ky mision është duke hetuar rastin së bashku me autoritetet turke, por e konsideron interesant faktin që gjurmët çojnë deri në Gjermani, ku dyshohet se një nënshtetas gjerman ka lidhje me këtë çështje.
Në Gjermani, gazetarët nisen gjurmëve të klinikës “Medicus”, në përpjekje të kontaktojnë doktor B, që është një urolog, për ta pyetur për transplantet ilegale të kryera në klinikën e tij në Prishtinë, por ai i ka drejtuar tek avokati, duke mos pranuar të flasë.
Krejt në fund, dokumentari përfundon me konstatimin se në Ballkan dhe askund tjetër nuk mund të gjenden njerëz që flasin për këtë çështje, edhe pse lufta ka 12 vjet që ka përfunduar.
(Përkthyer në formë të përmbledhur nga televizioni gjerman ZDF. Nëntitulli dhe mestitujt janë të Expressit. Përktheu: Jeton Musliu)