E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, serbët e veriut mbajnë sot referendumin e paligjshëm

Serbët e komunave në veri të Kosovës gjatë ditës së sotme dhe nesër do të dalin në referendum, nga i cili kërkohet të dihet nëse serbët mbështesin ose jo institucionet e Kosovës.

Ky referendum organizohet nga krerët e strukturave paralele në veri. Referendumi në fjalë është paralajmëruar të mbahet në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, më 14 dhe 15 shkurt.

Me këtë referendum, siç është thënë, synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.

Sekretari në Ministrinë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka thënë dje se epilogu i referendumit dihet që tani, sepse serbët e veriut në shumë raste që nga viti 1999 u kanë thënë jo institucioneve të Kosovës.

Kundër mbajtjes së këtij referendumi janë shprehur autoritetet e Kosovës, por edhe ato të misioneve ndërkombëtare. Referendumi në veri është cilësuar si i paligjshëm dhe që nuk do të ketë asnjë lloj pasoje juridike./Kosovapress

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›