E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, sërish tension në veri të vendit

Qindra serbë të tubuar afër pikës kufitare në Jarinje, kanë këputur me buldozer telat me  gjemba të vendosur nga KFOR-i që ishin të vendosura në rrugën alternative afër Jarinjes, bën të ditur agjencia e lajmeve Kosovapress.

Sipas burimeve, ata po ashtu kanë bllokuar një xhip të KFOR-it duke shtyrë zhavorrin përreth automjetit nga të gjitha anët.

Grupe ekstremiste serbe vazhdimisht me kamionë po sjellin zhavorr duke përforcuar kështu barrikadat e tyre të vendosura në këtë zonë, kanë thënë burimet, duke shtuar se situata është e tensionuar, ndërkohë që po arrijnë përforcime të reja të ushtarëve të KFOR-it nga kampi ushtarak Nothing Hill që ndodhet në afërsi të pikës kufitare.

Kryetari paralel i komunës së Leposaviqit, Branko Niniç, më herët kishte deklaruar se në pikën kufitare Jarinje po shtohen tensionet, pasi KFOR-i me automjetet e tij dhe telat me gjemba ka mbyllur rrugën alternative të hapur gjatë ditës së sotme nga serbët.

Sipas tij, veprimet e KFOR-it janë të pakuptueshme, për shkak se ata janë duke uzurpuar me makinerinë e tyre pronat private të banorëve të zonës.

Jemi duke bërë përpjekje për të kontaktuar me përfaqësues të forcave ndërkombëtare, por askush nuk po na përgjigjet, tha Niniç, duke shtuar se pret që gjatë ditës së nesërme të takohet me përfaqësuesit e KFOR-it.

Serbët në këto përforcime të ushtarëve të KFOR-it janë përgjigjur me fishkëllima.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›