E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet ligji: Shqipëria lejon importin e plehrave

Luis Tanushi / Denis Dedej

Mazhoranca ka miratuar dhe vetëm me votat e saj projektligjin për Menaxhimin e integruar të mbetjeve, edhe pse ky është kundërshtuar fuqimisht nga opozita. Projektligji në fjalë ka qëndruar për vite në korridoret e Kuvendit duke hyrë e dalë pa bërë shumë bujë në komisione. Thelbi i këtij ligji është lejimi i importimit të mbetjeve për qëllime përpunimi. Kjo e kthen Shqipërinë në një vend të rrezikuar tej mase nga trafiku ndërkombëtar i plehrave të rrezikshme, një trafik që prodhon më shumë të ardhura se sa ai i drogës dhe që prej vitesh menaxhohet nga mafia.

Në ligjin e miratuar dje nuk sanksionohen procedurat e importit të plehrave, por thuhet se çdo gjë do të vendoset në një moment të dytë. Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit, miraton rregullore për zbatimin e këtij neni,- është fjalia që përmendet në fund të çdo neni duke krijuar haptazi mundësi për abuzime.

Edhe pse ligji ka një ndarje mes mbetjeve të rrezikshme dhe atyre të parrezikshme, mundësia e verifikimit të tyre në terren është shumë e vështirë. Mbetjet e importuara janë të mbyllura në kontenierë të veçantë dhe kanë një vulë që në parim garanton cilësinë e tyre. Por për të parë realisht se çfarë ka brenda, kontenierët e vulosur dhe mbyllur hermetikisht duhen hapur dhe plehrat duhen kontrolluar një nga një. Më pas duhen bërë analizat për të parë nëse plehrat që u gjendën në kontenier janë të llojit që lejohen, apo të llojit që nuk lejohen. Edhe vendet më të zhvilluara të Europës, si Gjermania kanë pasur probleme me kontrollin e plehrave të importuara dhe në mjaft raste, mes plehrave janë gjetur edhe mbetje toksike.

***

Ligji sanksionon që ndalohet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe kalimi i tyre transit në Shqipëri, por pa bërë një përkufizim të saktë se cilat janë mbetjet e rrezikshme. Në nenin 48 të tij flitet për mbetjet jo-të rrezikshme. Vetëm mbetjet jo-të rrezikshme apo mbetjet inerte mund të importohen në Republikën e Shqipërisë. Importimi i mbetjeve sipas pikës 1 lejohet vetëm me Autorizim të Këshillit të Ministrave. Autorizimi për Importimin e Mbetjeve të këtij lloji lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për Autorizim për Importim Mbetjesh, merr në konsideratë arsyet pse duhet të importohen këto mbetje. Autorizimi për Importimin e Mbetjeve është i vlefshëm për një periudhë kohore deri një vit dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij Ligji si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret,- thuhet në ligj.

Pothuajse në këtë formë janë hartuar edhe nenet e tjera të ligjit për Menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ajo që bie në sy është fakti që për çdo rast importimi do të merret një vendim i dytë nga Këshilli i Ministrave ose Ministria e Mjedisit. Ligji në vetvete sanksionon vetëm faktin që do të lejohet importimi i plehrave për qëllime riciklimi, por nuk jep detaje se si do të ndodhë ky import. Djalli fshihet në detaje,- thotë një fjalë e urtë dhe pikërisht këto detaje nuk publikohen në ligj. Çdo vendim do të merret rast pas rasti dhe publikimi për publikun e gjerë nuk është i detyrueshëm.

Në pjesën e autorizimit për importimin e mbetjeve, ligji specifikon: llojin e mbetjeve për importin e të cilave lëshohet autorizimi; standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre. Ligji në fjalë parashikon edhe një listë të gjatë sanksionesh për ata që e shkelin, por ajo që bie në sy është se të gjitha sanksionet janë gjoba. Pra firmat që do të abuzojnë me importin e plehrave do e kalojnë lumin vetëm duke paguar një gjobë.

Historiku i ligjit për plehrat

Drafti i parë i ligjit ka nisur të hartohet që në vitin 2009. Pas problemeve të shumta është vendosur që të mos hartohet një draft shqiptar, por të importohet dhe të përkthehet një draft i ngjashëm. Pas shumë ndryshimesh dhe përshtatjesh, drafti mori një formë pothuajse përfundimtare në shtator 2010. Ai u kthye në një projektligj nga qeveria dhe dërguar në parlament për diskutim. Pas kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca e vonoi miratimin e tij. Edhe pse projektligji ka bosh vendin ku shënohet data e saktë, viti i shkruar është 2009.

Specialistët e mjedisit e kanë cilësuar këtë ligj si një vazhdim të atij të miratuar nga qeveria Nano në vitin 2003. Madje Nano nisi edhe një projekt konkret në vitin 2004, por kundërshtimi i shoqërisë civile dhe i kryeopozitarit të asaj kohe, Sali Berisha, bëri që marrëveshja të lihej pezull. Në opozitë Berisha e kundërshtoi ligjin e plehrave dhe premtoi që do ta anulonte, por kur erdhi në pusht nuk e përmendi asnjë herë të vetme deri në vitet 2009-2010, kur nisi hartimin e ligjit që rregullonte importin e plehrave nga vendet e tjera.

Deputetët e PS mundësuan miratimin e ligjit për plehrat

Partia Socialiste i ka falur dje Partisë Demokratike miratimin e ligjit të plehrave. Edhe pse e ka kundërshtuar publikisht përpara dhe gjatë seancës së djeshme, në momentin e votimit opozita kishte mundësi ta bllokonte ligjin, por nuk e ka shfrytëzuar atë.

Që një seancë plenare e parlamentit të konsiderohet e vlefshme, në të duhet të jenë të pranishëm të paktën 50% plus një e deputetëve. E përkthyer në shifra nevojiten 71 deputetë. Në rast se mungon ky numër i etiketuar si kuorumi, atëherë seanca ndërpritet. Dje në momentin e votimit të ligjit të plehrave, në sallën e Parlamentit ishin të pranishëm 126 deputetë, nga të cilët 68 i përkisnin mazhorancës dhe 58 opozitës.

Nëse grupi Parlamentar Socialist do të merrte vendimin të bllokonte ligjin, atëherë do të mjaftonte që të dilte nga salla në momentin e votimit dhe ligji rrëzohej. Sipas rregullores së Kuvendit, nëse një ligj hidhet për votim dhe nuk miratohet ose nuk arrihet kuorumi për votim, atëherë nisma ligjore kthehet në pikën zero. Kjo do të thotë që projektligji për plehrat do të kthehej në qeveri, e cila duhet ta dërgonte edhe një herë në Kuvend dhe ligji duhet të kalonte nga fillimi procedurën e komisioneve parlamentare deri sa të arrinte në fazën e miratimit në seancë plenare.

Por dje socialistët zgjodhën të ishin të pranishëm në sallë dhe të votonin kundër këtij projektligji. Vota kundër nuk shërbeu për rrëzimin e tij, por vetëm mundësoi kalimin, pasi mazhoranca mori 69 vota pro dhe opozita 52 kundër, 5 të tjerë nuk morën pjesë në votim. Ndërsa në projektligjin për veterinarinë deputetët socialistë kërkuan marrjen parasysh të pretendimeve të tyre kundër ligjit, në rast të kundërt do të bojkotonin. Kryetarja e Kuvendit këmbënguli në vijimësinë e votimit, ndërsa përfaqësuesit opozitarë hoqën kartat e tyre prej makinës së votimit elektronik dhe i fikën ato. Ky veprim solli që kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi, të kërkonte shtyrjen e votimit për ligjin që kërkonte një shumicë të thjeshtë.

Nga grupi Parlamentar Demokrat mungonin deputetët Sali Berisha, Fatmir Mediu, Ridvan Bode, Gazmend Oketa, Adriana Gjoni dhe Dashamir Sula. Të pyetur nga gazeta Shekulli se pse nuk u veprua në të njëjtën mënyrë për bllokimin e ligjit të mbetjeve, zyrtarë të grupit të PS-së thanë se nuk ishin në dijeni në atë moment për mungesën e votave dhe se e kuptuan atë në momentin e votimit të ligjit të mbetjeve. Sipas tyre, në momentin e votimit të prezencës nuk jepet e dhëna se sa disponon mazhoranca dhe opozita, pasi ajo u vu re vetëm pak sekonda më pas.

Kjo është një situatë e përsëritur në parlamentin shqiptar, kur forca politike që janë në Kuvend kërkojnë me ngulm mosmiratimin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›