E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, situata në veri mbetet e tensionuar. KFOR kontrollon rrugët në Zubin Patok

19-09-2011 / Gazeta 55

Pjesëtarët e KFOR-it duke filluar nga dita e sotme do të kontrollojnë me detaje të gjithë udhëtarët dhe automjetet të cilat  udhëtojnë nga veriu i Mitrovicës drejt Zubin-Potokut. Ata kanë vendosur një pikë kontrolli pranë fshatit të banuar me shqiptarë, Çabër, ku sot në mëngjes janë mbledhur një numër i madh serbësh. “Serbët kanë frikë se edhe kjo rrugë do të bllokohet dhe ata do të ndahen nga Mitrovica, ku shumë nga ata shkojnë në shkollë dhe punojnë”, transmetojnë mediat e Beogradit. Në këtë rajon rrugët janë të bllokuara në shumë vende nga serbët, e më shumë në Zupç në rrugën që e lidh Zubin-Potokun me jugun e Mitrovicës.


Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi: Kosova të bllokojë importin e mallrave serbe


Lejimi i hyrjes së mallrave serbe në Kosovë pas marrëveshjes për vulat, ka nxitur reagime në Prishtinë për shkak se kjo marrëveshje po realizohet në mënyrë të njëanshme, pasi Serbia po i kthen mbrapsht kamionët më mall nga Kosova. Si pasojë e kësaj zyrtarët qeveritarë kanë thënë se reciprociteti mund të kthehet nëse vazhdon kjo bllokadë. Për këtë qeveria ka marr përkrahje edhe nga Kryeparlametnari Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se Kosova duhet të përdorë masa edhe më të rrepta për të ndalur hyrjen e mallrave serbe. “Qeveria ka bërë mirë që ka treguar vullnetin e saj për të në bazë të marrëveshjes për hyrjen e mallrave serbe, por nëse Serbia vazhdon me bllokimin e mallrave të Kosovës atëherë varet nga qeveria nëse do të vendosë masa më të rrepta të reciprocitetit”- ka thënë Krasniqi.


Komuna e Mitrovicës: Serbë të armatosur lëvizin lirisht nëpër qytet

Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës kanë informacione se në veri lëvizin lirshëm serbë të armatosur, të cilët po përhapin shqetësim mes njerëzve.
Sipas Telegraf, përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë në Mitrovicë në takimin e Komitetit lokal për vlerësimin e sigurisë publike vlerësuan se gjendja në veri vazhdon të jetë e qetë, por shumë e tensionuar. Në këtë takim u theksua problemi i banorëve, sidomos atyre joserbë që kanë mbetur të izoluar.
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri kërkoi nga strukturat e sigurisë që sa më shpejt të marrin masa për hapjen e rrugëve dhe eliminimin e barrikadave që janë vendosur në rrugët kryesore të veriut. “Nuk duhet lejuar një grup ekstremistësh që të sfidojnë në mënyrë kaq të rëndë rendin dhe ligjin”.
Policia e Kosovës me mbështetje të EULEX-it dhe KFOR-it është fokusuar në shtimin e masave të sigurisë në lagjet me popullatë të përzier në lagjet dhe fshatrat e veriut”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›