E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, të shtëna në veri, KFOR shton forcat mbi Ibër

PRISHTINË- Pas vendosjes së doganierëve kosovarë në veri nga Prishtina zyrtare, sërish janë raportuar probleme gjatë natës së mbrëmshme. Mediat kosovare raportojnë për sulme me gurë nga serbët në jug të Mitrovicës, ndërsa kanë bllokuar me zhavorr urën e Ibrit.

Në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë, aty ku pëvec doganierëve serbë ka edhe doganierë kosovarë, të gjithë këta të mbikëqyrur nga KFOR e EULEX gjendja është raportuar e qetë gjatë natës. Nuk ka pasur sulme nga strukturat paralele serbe.

Por mediat kosvare raportojnë se serbët po ngrejnë një mur rreth 3 metra të lartë në rrugën Prishtinë- Rudër në Mitrovicë. Mësohet se muri i ngritur është në lartësi prej 3 metrash, dhe praktikisht bllokon çdo lloj transporti në atë rrugë për në Jarinjë. Mësohet se pjesë e betonizimit do të bëhet edhe ura mbi lumin Ibër.

Ndërkohë që rreth orës 11:15 të ditës së sotme raportohet për të shtëna me armë zjarri në veri të Mitrovicës. Kosova Press raporton se forcat e sigurisë kanë shtuar kanë shtuar prezencën e tyre mbi urën kryesore mbi lumen Ibër, ndërkohë që vërehen disa automjete KFOR-it, të cilat kanë kaluar në pjesën veriore nga ana e Suhadollit. Të shtënat janë dëgjuar nga ndërtesat në pjesën veriore të Mitrovicës.

KUSARI-LILA: PRESIM PËR RECIPROCITET DERI TË HËNËN, PASTAJ EMBARGO
Ora 11:00- Zmbrapsja për ta aplikuar reciprocitetin tregtar, sipas zëvendëskryeministres Mimoza Kusari-Lila, do të jetë deri të hënën. Pastaj do të rivendosen bllokada për mallrat, në rast se Serbia vazhdon embargon tregtare.

Kosova vetëm pak javë ka mundur t’ia kthente me reciprocitet Serbisë bllokadën më shumë se trevjeçare të shkëmbimit tregtar. Kamionë me mallra komerciale janë lejuar të premten për të hyrë nga Serbia në Kosovë. Anasjelltas, asnjë.

SHBA: TË SHQETËSUAR PËR SITUATËN
Ora 07:30- Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, ka vlerësuar se bllokimi i rrugëve nga serbët në veri të Kosovës pengojnë lirinë e lëvizjes dhe nuk janë në pajtim me aspiratat e Kosovës dhe Serbisë për hyrje në Bashkimin Evropian, raporton gazeta kosovare Express.

“Gjithsesi jemi të brengosur për shkak të situatës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbajnë paqen dhe t’iu shmangen hapave të ngutshëm, si dhe të përmbahen nga retorika ndezëse”, ka thënë Toner.

Ai në një konferencë për media ka theksuar se KFOR-i dhe EULEX-i ndodhen në veri për të siguruar lëvizjen e sigurt dhe të lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Liria e lëvizjes është në interesin e Kosovës dhe Serbisë, dhe është në pajtim me aspiratat e tyre për hyrje në Bashkimin Evropian. Bllokada e rrugëve gjithsesi nuk i kontribuon kësaj”, ka thënë Toner.

(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›