E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, zbardhet skema e grabitjes së kazinosë

TIRANË- 6 personat e arrestuar në flagracë mbrëmjen e së mërkurës, teksa po grabisnin një kazino do të dalin paraditen e së shtunës para gjykatës për tu njohur me masën e arrestit. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se për dy prej të akuzuarve provat për përfshirjen e tyre në grabitje nuk janë të mjaftueshme dhe për këtë arsye do ti kërkohet gjykatës zbardhja e tabulateve të tyre telefonike, si një provë esenciale për ti mbajtur pas hekurave. Ndërsa për 4 personat e tjerë nga strukturat e hetimit të krimit të policisë së kryeqytetit janë gjetur dhe mbledhur prova të mjaftueshme, të cilat i lidhin ata me vjedhjen e mbi 20 bizneseve në kryeqytet përgjatë periudhës janar-shtator 2011.

Gjatë operacionit të koduar të policisë, “Pritja e gjatë” pranë sheshit "Avni Rustemi" mbetën të plagosur një efektiv policie dhe dy prej grabitësve, të cilët po marrin mjekimin e nevojshëm në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve të këtij spitali njëri prej të plagosurve, i cili është grabitës Miklovan Curraj është në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa dy personat e tjerë, polici me inicialet E. Gj. dhe grabitësi Bejo Pasha janë në gjendje më të mirë shëndetësore.

SKEMA E GRABITJES
Ndërkohë që organet e hetimit kanë zbardhur edhe skemën e grabitjes së të mërkurës. 4 prej grabitësve, mes tyre edhe në femër kanë mbërritur nga rruga e Barrikadave në drejtim të kazinosë pranë sheshit Avni Rustemi, ku kanë zbritur dy prej tyre, Jonida Currja dhe Ani Rrapa, të cilët zakonisht shërbenin si vëzhgues dhe informues të situatës në terren. Më pas Miklovan Curraj dhe Bejo Pasha kanë parkuar makinën mbrapa Prokurorisë së Përgjithshme duke u sinjalizuar herë pas here nga ana e dy personave të cilët ishin vendosur përballë kazinosë. Në momentin që njëri prej rojeve të sigurisë është futur brenda, Miklovan Curraj dhe Bejo Pasha nën kërcënimin e pistoletave janë futur në amientet e kazinosë ku kanë grabitur shumën e 2.5 milion lekëve të vjetra dhe në momentin kur ata kanë dalë nga kazinoja kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilët kishin rrethuar zonën. Thirrjeve të policisë për tu dorëzuar grabitësit i janë përgjigjur me të shtëna, ku fillimisht është plagosur oficeri i policisë me inicialet E. Gj dhe më pas policia ka plagosur njërin prek tyre, ndërsa grabitësi tjetër në tentativë për tu larguar 50 metra nga vendi i ngjarjes. Ende sipas policisë, nuk dihet roli i Ilirjan Ilnicës dhe Jetmir Elmazit, të dy nga Peshkopia, të arrestuar si persona të dyshimtë në vendngjarje.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›