E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë,Lunaçek ndër 13 kandidatët për shef të BE

PRISHTINE- Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, do ta zgjedhë në mesin e 13 kandidatëve shefin e ardhshëm të Zyrës së BE-së në Kosovë, ndonëse ende nuk dihet si do të quhet saktësisht kjo zyrë.

Deri më tani BE-ja në Kosovë ka pasur Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së në Kosovë, EUSR. Tash, duke reflektuar hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimin e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian EEAS, BE-ja gjithkund ku ka përfaqësues të posaçëm dhe delegacione të komisionit do ti bashkojë ato nën një kulm dhe me një shef.

Në gare për shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, i cili sipas të gjitha gjasave do të bëhet më vonë edhe EUSR, janë lajmëruar 13 kandidatë. Ndër emrat e vetëm që janë përmendur janë Urlike Lunacek, deputete austriake në Parlamentin Evropian dhe raportuese për Kosovën, dhe Janina Hrebickova, ish-shefe e Zyrës Çeke në Kosovë. Mësohet se ka edhe kandidatë nga Sllovenia. Diplomatët pranojnë se nuk ka pasur ndonjë interesim të madh për këtë post, dhe madje disa edhe e kanë refuzuar ofertën për të kandiduar. Në BE sqarojnë se ky konkurs nuk ka qenë formalisht për EUSR-in, pra për personin që do ta zëvendësojë Peter Feithin, të cilit tashmë i ka skaduar ky mandat dhe i ka mbetur vetëm ai i ICR-së, por për shef të Zyrës së Komisionit Evropian.

Por, të njëjtat burime pohojnë se në praktikë pritet që ai i cili do të zgjidhet në këtë post, do të bëhet edhe EUSR, nëse për një gjë të tillë pajtohet Këshilli i BE-së, pra vendet anëtare. Diskutimet mes vendeve anëtare tashmë janë duke u zhvilluar dhe atë për të sqaruar disa çështje. Ende nuk ka vendim as për të caktuar Fernando Gjentilinin në postin e ushtruesit kalimtar të detyrës së EUSR-it derisa të merren vendime të tjera.

Këtë vendim e ka bllokuar Britania e Madhe jo për shkak të arsyeve personale, por më shumë për shkak se insiston që Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian (term që përdoret për të reflektuar qëndrimin e vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës) të ngrihet në nivel të delegacionit për të reflektuar më shumë faktin se Kosova tashmë ka status. Për shkak të ndasive mes vendeve anëtare edhe është krijuar ky hendek dhe pritet që situata të zgjasë së paku edhe dy deri tre muaj.

Sipas disa diplomatëve të vendeve anëtare që marrin pjesë në diskutime, zyrtarët e Këshillit dhe të Komisionit Evropian shpesh mbajnë qëndrime të cilat janë më të afërta me vendet që  e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës sesa të atyre që e konsiderojnë Kosovën si shtet.

“Deri tani kemi parë institucionet e BE-së që sa herë të flitet për Kosovën, të kujdesen që të mos provokohet Serbia dhe vendet që nuk e njohin pavarësinë. Tash kemi Britaninë e Madhe, e cila me të drejtë insiston që të pranohet disi edhe fakti se Kosova është shtet”, thotë një burim nga BE-ja, cituar nga Koha Ditore.

Ajo që është evidente është një heshtje e madhe e shumë vendeve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por nuk insistojnë që kjo të reflektohet edhe në punën e BE-së dhe në raportet e BE-së me Kosovën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›